U ndërtua për 8 ditë, spitali kinez nisi pranimin e pacientëve me koronavirus

I ndërtuar brenda vetëm tetë ditësh, spitali kinez i dedikuar për trajtimin e personave të infektuar me koronavirusin e ri në Wuhan, qytet ky ku ka shpërthyer së pari virusi, ka nisur së pranuari pacientët qysh prej së hënës, kanë bërë të ditur mediat shtetërore. 

Spitali Huoshenshan, që në përkthim ka kuptimin e “malit të perëndisë së zjarrit”, është ndërtuar për të përballuar një kapacitet prej një mijë shtretërish dhe u dedikohet ekskluzivisht pacientëve të infek tuar me koronavirus, shkruan sot Koha Ditore.

Synimi i spitalit është që të zbutet mungesa e shtretërve në spitalet e tjera të qytetit, teksa virusi i ri po përhapet me fluks shumë të shpejtë. Epidemia ka lënë të vdekur së paku 361 persona, ndërsa ka infektuar mbi 17 të tjerë në Kinë dhe së paku 171 gjetkë.

Deri më tani janë regjistruar më shumë se 11 mijë raste në krahinën Hubei, ku dhe ndodhet Wuhani, ka njoftuar të hënën televizioni shtetëror.

Ndërtimi i spitalit Huoshenshan është bërë sipas modelit të kopjuar të një spitali, që ishte ndërtuar në Pekin më 2003 në kuadër të betejës kundër SARS-it – Sindromës së Rëndë Akute Respiratore. Më shumë se 7.500 punëtorë kanë marrë pjesë në projektin e shpejtë të ndërtimit, i cili u nis më 25 janar dhe përfundoi gjatë kësaj fundjave.

Kina është duke e ndërtuar edhe një spital të dytë në Wuhan, dedikuar po ashtu trajtimit të pacientëve me koronavirus. Ky spital do të ketë 1.600 shtretër. Leishenshai apo “mali i perëndisë së stuhisë” pritet që të përfundojë së ndërtuari deri më 5 shkurt. Punimet për qendrën e re shëndetësore në Wuhan kishin nisur më 24 janar, ndërsaqë nga e hëna në të do të angazhohen me qindra mjekë vullnetarë nga çdo cep i Kinës.

Autoritetet vendase mobilizuan të gjitha forcat për të bërë të mundur ndërtimin e këtij spitali në kohë rekorde. Që prej shfaqjes së rasteve të para me formën e re të koronavirusit në Wuhan gjatë dhjetorit të vitit të shkuar, virusi është përhapur me hov të shpejtë përtej Kinës, duke prekur të paktën 22 shtete të botës, përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Japoninë dhe Tajlandën, ndërkaq të dielën është shënuar edhe rasti i parë i vdekjes së një të infektuari përtej kufijve të Kinës, në Filipine.

Si rrjedhojë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur javën e shkuar emergjencën globale për virusin, ndërsa shkencëtarët po përpiqen që ta zbulojnë vaksinën kundër tij sa më parë që është e mundur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button