“Financa të Hapura” në RMV, prej 80 komunave, vetëm 13 janë të interesuara t’i publikojnë harxhimet

Shumica e komunave të Maqedonisë së Veriut nuk kanë shprehur interes që t’i tregojnë të dhënat për harxhimet e parave të qytetarëve, borxhet dhe buxhetin total të tyre. Në platformën “Financa të Hapura” e cila mundëson publikimin e të gjitha transaksioneve me para të qytetarëve, deri tani kanë aplikuar vetëm 13 komuna, nga të cilat vetëm dy shqiptare, njofton Portalb.mk

Përderisa faza e parë e platformës “Financa të Hapura” parashihte publikimin e transaksioneve, të institucioneve buxhetore të buxhetit qendror, edhe atë: Ministritë, agjencitë, drejtoritë, etj. Në fazën e dytë që aktualisht është në zbatim e sipër, është planifikuar që të bëhet publikimi i transaksioneve të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet e tyre buxhetore.

Portalb.mk kontaktoi Ministrinë e Financave për të pa se si shkon rrjedha e implementimit të fazës së dytë të kësaj platforme, nga ku edhe na informuan që nga gjithsej 80 komuna, iniciativë për t’u kyçur në platformën Financa të hapura, kanë shprehur vetëm 13 komuna, nga të cilat vetëm dy shqiptare.

“Transparenca është thelbi i demokracisë. Ajo kufizon manifestimin e fuqisë dhe nxit që sa më me përgjegjësi dhe rregullsi të veprohet. Në këtë drejtim, me Financa të Hapura shkojmë në nivelin më të lartë të transparencës fiskale, qytetarëve ua mundësojmë të kenë qasje në atë se si harxhohet secili denar nga buxheti shtetëror. Deri tani kanë aplikuar vetëm 13 komuna, edhe atë: Komuna e Berovës, Bosilevës, Dibrës, Demir Hisar, Kavadarci, Kratovës, Kriva Palankës, Kumanovës, Makedonska Kamenica, Sopishte, Strumnicës, Qendër, dhe Çair” thonë nga Ministria e Financave për Portalb.mk.

Nuk ka afat të caktuar se prej kur deri kur mund të aplikojnë komunat për të qenë pjesë e platformës “Financa të Hapura”, megjithatë nga Ministria e Financave na thane që është mire komunat të shprehin interes sa më herët për këtë, ngaqë siç shprehen ata, është platformë e cila është kyçe për demokratizimin e institucioneve.

Kjo platformë u promovua në nëntor të vitit të kaluar nga Ministria e Financave, projekt ky që mundëson qytetarëve përmes kësaj ueb faqes të kenë qasje në të gjitha pagesat e bëra nga institucionet shtetërore dhe marrësit e mjeteve.

Ish kryeministri Zaev, gjatë promovimit të kësaj platforme në nëntor të vitit të kaluar ju bëri thirrje edhe komunave që sa më shpejtë t’i bashkohen kësaj platforme, e cila sipas tij është një ndër masat më të mëdha për uljen e korrupsionit.

“Para prezantimit, kam biseduar me kryetarin e BNJVL-së, i cili është edhe kryetari i Shkupit, ai na premtoi dhe besoj se ai do të ketë takime pune me Ministren e Financave këto ditë. Duhet të ketë edhe vullnet, që duhet të konfirmohet nga këshilli i komunës. BNJVL me të vërtetë inicioi, sa më shpejtë komunat t’i bashkohen platformës”, deklaroi Zoran Zaev, ish Kryeministër i RMV-së, 20,11,2019.

Ndryshe, Maqedonia edhe këtë vit ka shënuar regres në radhitjen në Indeksin për Perceptim të Korrupsionit gjegjësisht me gjithsej 35 pikë dhe është plasuar në vendin e 106-të. Në vitin 2018-të shteti ishte në vendin e 93-të me 37 pikë, ndërkaq në vitin 2017-të në vendin e 107-të. Këtë e tregon raporti për Indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2019-të të publikuar sot nga Tranpsarency International, në të cilin janë përfshirë 180 shtete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button