Mickoski propozoi gjashtë profesorë të shkruajnë ligj të ri për Prokuri Publike, Ministria e Drejtësisë: Alibi

Kryetari I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se nuk është kundër Ligjit për Prokurori publike, por kundër projektligjit aktual, për të cilin ai thotë se është ligj partiak i LSDM-së, njofton Portalb.mk.

Mickoski propozoi, në konferencën e sotme për shtyp, gjashtë profesorë të drejtës kushtetuese dhe penale që ta shkruajnë ligjin dhe shtoi se një ligj të tillë partia e tij do ta pranonte pa rezervë dhe pa hezitim. Si autorë të ligjit të ri, ai propozoi profesorët: Vllado Kambovski, Gordana Siljanovska, Nikolla Tupançevski, Gordan Kalajxhiev, Tanja Karakamisheva dhe Gordana Lazhetiq.

Konferenca për shtyp e Mickoskit vjen një ditë pasi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev tha se Kuvendi nuk do të shpërndahej në 12 shkurt nëse deri atëherë nuk miratohet Ligji për Prokurori publike.

Nga Ministria e Drejtësisë iu përgjigjen Mickoskit se propozim-ligji është në tavolinë dhe nëse dëshirojnë le të dorëzojnë amendamente dhe të mos gjejnë alibi.

“Ligji për Prokurori Publike është përgatitur gjatë kohë në Ministrinë e Drejtësisë, prej grupeve punuese që kanë marrë pjesë ekspertë të brendshëm, prokurorë publik, por edhe ekspertë të huaj të cilët kanë dhënë sugjerime dhe mendimi për disa çështje lidhur me Ligjin. Ligji ende është në tavolinë, nëse VMRO-DPMNE dëshiron të marrë pjesë në procesin, atëherë le të përgatit amendamente – tjetra është e gjithë alibi që të mos miratohet ligji”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Përndryshe, gjatë ditës së sotme do të vazhdojnë takimet bilaterale të përfaqësuesve të grupeve punuese në të cilat do të shqyrtohen amendamentet e tyre për Ligjin për Prokurori Publike.

Nga Ministria e Drejtësisë informojnë se qëllimi i këtyre takimeve është që të sigurohet konsensus dhe shumicë prej dy të tretave.

Ligji për Prokurori Publike ka qenë temë e diskutimit edhe në takimin mes grupit të deputetëve të përjashtuar nga VMRO-DPMNE me ambasadoren e SHBA-së në Shkup, Kejt Mari Bërns.

“Kam mbajtur takim produktiv me grupin e deputetëve të pavarur, për rëndësinë e mbështetjes së reformave të vazhdueshme, përfshirë edhe Ligjin për Prokurori Publike, i cili i avancon qëllimet për sundim të së drejtës, transparencë, përgjegjësi dhe sundim të mirë”, shkruajti në Tuiter ambasadorja Bërns.

Pas takimit të grupeve të punës të premten, disa grupe punuese të shtunën kanë dorëzuar amendamente për Ligjin për Prokurori Publike, ndërkaq disa kanë kërkuar kohë shtesë për formulimin për shkak obligimeve që i kanë pasur me dialogun “Zhan Mone”. Për shkak të mirëbesimit në proces, nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se nuk do të zbulojnë se cilat grupe të deputetëve kanë dorëzuar amendamente.

Opozitarja VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga kërkesat për Ligjin për Prokurori Publike, pasi që të premten e ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë të organizojë takim me ekspertët juiridk të cilët kanë dhënë vërejtje në debatin publik dhe bashkë me ata të bëjnë amendamente për propozim-ligjin.

“Nuk ka gjasa që të heqim dorë nga kërkesat tona në lidhje me ligjin për Prokurori publike”, porositi sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

Në lidhje me thirrjen e liderit partiak, Hristijan Mickoski, deri te Ministria e Drejtësisë që t’i pranojë vërejtjet e ekspertëve të cilët morën pjesë në debatin publik, Janushev tha se ministrja Renata Deskoska qëndron kundër gjithë ekspertëve juridik.

Nëse do të miratohet ligji para zgjedhjeve, Janushev tha se sipas partisë gjithsesi duhet që të miratohet, por jo ashtu siç e propozon LSDM.

Dje edhe ministrja Deskoska porositi që VMRO-DPMNE të përkushtohet në përgatitjen e amendamenteve nëse vlerësojnë se është e nevojshme të ndryshohet teksti i ligjit. Vetëm ashtu, thotë ajo, do të tregojnë se janë të gatshëm t’i vendosin interesat eurointegruese përpara atyre personale, kriminelëve të dyshuar dhe të akuzuar nga radhët e tyre.

Në takimin e së premtes, të dytë të grupit të punës në format më të gjerë me përfaqësues të partive politike dhe grupeve të deputetëve nga Kuvendi u bisedua për amandamentet për përmirësim të tekstit ligjor pas debatit publik dyditor të ekspertëve për ligjin.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi se nëse deri te Kuvendi do të dorëzohet propozim-ligji i harmonizuar për Prokurori Publike, ai menjëherë do ta vendos në seancë kuvendore.

 debatin publik që u mbajt në Kuvend, kryeministri Oliver Spasovski tha se kishte se çfarë të dëgjohet nga ana e ekspertëve, të cilët në mënyrë objektive dhe në kuadër të ekspertizës së tyre patën mundësi ta thonë mendimin e tyre në lidhje me zgjidhjen ligjore.

Propozim-ligji i ri për Prokurorinë Publike pritet të miratohet deri më 12 shkurt, kur duhet të shpërndahet kjo përbërje kuvendore. Për miratimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button