fbpx

A jemi të mallkuar?!

Si duket neve na ka kapur një mallkim shekullor tejet i rrezikshëm që për shumë vite asesi të nisim nga e mbara. Njerëzit po ikin masivisht nga këtu, sepse të gjithë sikur besojnë se po të mos ikin ndonjë mallkim do t’i kapë. Këtu është krenari të jesh statujë kurse poshtërim të jesh njeri. Këtu është bërë turp të jesh i ndershëm, kurse nder të jesh matrapaz. Tani njëzet vite këtu mbillen e kultivohen antivlera. Sa më i paditur aq më i avansuar. Sa më i korruptuar aq më afër parave publike. Sa më i pashkolluar aq më afër institucioneve arsimore. E gjithë kjo bëri që të prapambeturit të na e sjellin përparimin, të paditurit të na e mbjellin diturinë, kurse mashtruesit të na e ndajnë drejtësinë. Kjo, pasi vite me radhë kemi mbështetur krijesa misterioze paranormale të krijuara nga ndonjë mallkim kozmik. Kurse ne akoma vazhdojmë shpëtimin ta kërkojmë në pandershmërinë që na përcolli ndër vite. Madje edhe ai Tito që sot vazhdojmë ta mallkojmë, për 30 vite kishtë ngritur standardin jetësor për 12 herë. Vendin e vet e kishtë sjellë përkrah Gjermanisë.

Ekspertët thonë se privatizimi kriminal menjëherë pas pavarësisë së shtetit do të na kushtojë një shekull vuajtje, sepse ai krijoi një strukturë të fortë kriminale, e cila vështirë hiqet qafe. Vitet e paskonfliktit na treguan se sa lehtë gjaku dhe morali shëndërrohen në para. Qeveria e kaluar na varrosi me aq shumë lopata arkeologjike duke glorifikuar një të kaluar të rreme, kurse si qëllim kishte fshehjen e plaçkitjes shekullore, kurse kjo e tanishmja nuk diti të na nxjerrë nga situata. Në sferën e politikës së jashtme bëri rezultate spektakolare, por shumë pak në zhvillimin ekonomik. Kështu, kaluan tridhjetë vite e ne pa vizion të qartë zhvillimor gjë e cila mund ta boshatisë në tërësi vendin, posaçërisht në pjesët shqiptare.

Praktika tregon se me ideal dhe profesionalizëm shumë mund të mbrihet. Kili ishte shteti më i varfër në Amerikën e Jugut, por gjenerali Augusto Pinochet (me një diktaturë të moderuar) ate e çoi atë në nivelin e “20 shteteve më të zhvilluara në botë”. Kina nga një shtet që miliona njerëz vdisnin nga uria për 30 vite u shndërrua në superfuqi ekonomike botërore. Malajzia, India, Pakistani e Vjetnami poashtu. Një bum i ngjashëm ekonomik është bërë madje edhe nga disa shtete afrikane që deri dje ishin fisnore. Shkalla e papunësisë në Gana 25 vite më parë ishtë 69%, kurse tani vetëm 5%, e standardi është rritur maramendës për 14 herë. Zhvillimi i saj i ekuilibruar në të gjitha 216 komunat është një shembull jo vetëm për Afrikën, por për të gjithë botën.

Botsvana është një shtet jug-lindor afrikan me një territor 70% shkretëtirë (Kalahari). Para 35 vitesh ishte vendi më i pazhvilluar në planet me vetëm 69 dollarë PBB për frymë, kurse tani arrin nivelin fantastik prej 14,400 dollarë për frymë. Kur njëherë e kishin pyetur liderin e këtij shteti Seretz Jan Jama, se cili është sekreti i suksesit, ai u ishtë përgjigjë – “Sekreti është të mos kini sekrete, por profesionalizem maksimal dhe disciplinë fanatike”.

Bumi ekonomik ndiqet edhe nga shumë shtete tjera afrikane deri dje të mjerueshme – Namibia, Angola, Tanzania, Mozambiku, madje edhe Etiopia e cila ndër dekada ishte simbol i vdekjes nga uria, kurse tani radhitet në mesin e 13 vendeve me zhvillim më të shpejtë në botë. Tani ajo “Afrikë e zezë” nuk është më aq e zezë. Vitin e kaluar, madje shtatë nga dhjetë ekonomitë më të shpejta në botë ishin shtete nga ky kontinent. Ata janë në rrugë për të kapërcyer edhe “Tigrat Aziatikë” (Kina, India, Koreja e Jugut, Malajzia dhe Vietnami).

Turqia në dhjetë vitet e fundit ka arritur rezultate spektakolare edhe në zhvillimin e përgjithshëm, duke përfshirë edhe bujqësinë e blegtorinë, kështuqë tani ky vend logaritet në mesin e shteteve me dinamikë më të shpejtë zhvillomore në botë në shumë lëmi. Klima e saj (sidomos në pjesën jugore), investimet me përkrahje të madhe nga shteti dhe profesionalizmi e metodat e reja shkencore dhe teknologjia kanë bërë që ky vend të shndërrohet në eksportuesin e tretë të pemëve e perimeve në botë. Eksporti i saj që tani tejkalon 52 miliardë dollarë në vit, është rezultat i angazhimeve tejet serioze teknologjike në këtë fushë që shtetin e radhit në vendin e shtatë në botë për nga zhvillimi i bujqësisë. Madje, sa i përket prodhimit të qumshtit të deleve ze vendin e parë në botë me mbi 800 mijë tonelata në vit.

E ku jemu ne? Ne polemizojmë për Ligjin mbi Prokurorinë, me Komisionin e Venecias, për patriotizma të rejshëm, për historitë qesharake, për pulat e ngordhura, por asesi për të ardhmen. Në Evropë tani qarkullojnë trenat me 350 km në orë, kurse ne akoma bisedojmë për maqinat me avull. Ne duam një Unionin Evropian a nuk meritojmë as Unionin Afrikan! Për tridhjetë vjet kemi qeveri, parlament e gjykata, por ato në masë të madhe i kemi mbush me analfabetë kronik. Andaj kemi plotë institucione arsimore por asesi edhe dije. Kemi plotë institucione mjekësore, por jo edhe shëndet. Kemi plotë institucione për bujqësi por jo edhe bujqë. Debatojmë për Bokin, Kikin e Frikin dhe harruam miliardat e vjedhura. Por, kjo është kështu kemi do zyrtarë që nuk meritojnë të jenë as roje në ato institucione që drejtojnë. Kemi një mendje të bllokuar që gjithçka na e ka bërë bllok. Persona margjinalë tani 20 vite janë bërë faktor të lumturisë së tyre dhe  kreatorë të fatkeqësisë sonë. U shndërruam në shoqëri ku disa mezi mbijetojnë me dhjetë gishtat, kurse “margjinalët” gjithçka kanë me vetëm dy gishtat e tyre. Nëse diçka radikalisht pozitive nuk do na ndodhë këtu, në të ardhmen jo të largët, si shumicë e popullsisë këtu do të jenë kinezët, afrikanët, hindusët, të cilët do të fillojnë të shkruajnë një histori të re.

Ekspertët eminent të zhvillimit botëror janë të mendimit se vendi ynë mund të bëjë një bum të vërtetë zhvillimor nëse do të përqendrohej në këto fusha përmes partneriteteve publike-private: 1) bujqësi moderne dhe blegtori, 2) turizëm modern banjor, së bashku me qendra rekreative, qendra skijimi, 3) turizëm rural (malor) me ajr të pastërt. E gjithë kjo me reklama të forta, transporte të organizuara e të lirë, fluturime çarter etj. Kjo njëherit do e mbante profitin në vend, ndryshe nga investimet e huaja ku fitimi shkon jashtë. Por, kjo kërkon një strategji serioze zhvillimi, institucione kompetente, ekspertë të shumtë, agro këshilla të vazhdueshme, dhe njëherit strukture të re politike e mentale.

Maqedonia duhet ta pyet veten se çfarë i ka ndodhë me të vërtetë, veçanërisht kur vendet fqinje që ishin 30 vjet pas saj (Bullgaria, Rumania, Shqipëria) ate e tejkaluan. Madje, shumë më përpara shkuan Mali i Zi, i cili vonë u bë shtet (në vitin 2006), dhe Kosova në vitin 2008! Ne si duket jemi të bllokuar nga vetvetja. Kjo e humbë logjikën e pasjes shtet apo ekzistencën e të njëjtit e bënë të dëmshëm. Madje edhe të rrezikshëm!

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close