Opozitarizmi i mangët i projektligjit të vetingut

Në një kohë kur opozita duhej të ishte më e zëshme dhe më aktive në luftën kundër kurrupsionit dhe fenomeneve negative, me marrjen e iniciativave dhe projektligjeve të ndryshme, në rrugë parlamentare dhe joparlamentare, mjerisht ajo vazhdon ta bëjë të kundërtën, vazhdon politikën e akuzave përbaltëse, siç rëndom veprojnë opozitat në rajonin tonë, politika klasike të paduhura, për synimin e pushtetit. Pushtet i fituar në këtë mënyrë, pa ndonjë dobi të theksuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe zbatimin e shtetit të së drejtës. Opozita, si ajo shqiptare dhe maqedonase, e përqeshën dhe e quajtën joserioz projektligjin e vetingut për sistemin gjyqësor dhe bartësve të funksioneve publike, i dorëzuar në Kuvend nga grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik per Integrim.

Aleanca për Shqiptarët në reagimin e saj, e përqeshi aktin në fjalë, me arsyetimin se nga kush ka ardhur ky projekligj dhe se me këtë kërkohet të pastrohen radhët e korruptuara të partisë inicuese të një nisme të tillë ligjore. Njëkohësisht, duke u shprehur se subjekti i tyre politik, padyshim do ta përkrahë këtë propozim projektligji. Me këtë reagim, Aleanca për Shqiptarët e vazhdoi opozitarizmin e mangët ndaj një mekanizmi jetik për pastrimin dhe mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, i vetingut në drejtësi, dhe jo vetëm në drejtësi, duke bërë dy gabime fillestare. E para, shfaq zhelozi dhe frikë ndaj një partie kundërshtare e cila tashmë është disa vite në qeverisje lokale dhe qëndrore, dhe me gjasë, prej funksionarëve të saj, ka të korruptuar, kur kjo parti kërkon që nëpërmjet vetingut, ti vendos para drejtësisë edhe njerëzit e strukturave të saj, të gjithë të korruptarit. Duke treguar njëherazi edhe seriozitetin dhe reformimin që bëjnë dhe e kanë të nevojshme partitë e mëdha të skenave politike. E dyta, që është një gabim ndoshta më i rëndë i Aleancës, mbështetja e menjëhershme e projektligjit në fjalë, pa e shqyrtuar atë, pa dhënë vërejtje apo propozime, për atë se si duhet të jetë ligji më efikas në kontrollin e pasurisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjithë bartësve të funskioneve publike, në shembullin e praktikave më të mira të shteteve tjera, ku edhe është zbatuar makanizmi i vetingut.

Gjithashtu, partia tjetër opozitare shqiptare, “Besa” e Bilall Kasamit, me reagimin e saj tregoi mangësinë opozitare, duke lënë të kuptohet se për atë është e rëndësishme përpjekja e sa më shumë votave elektorale, dhe jo kujdesi për cilësinë e ligjeve, ballafaqimin me projektligjin dhe mënyrat më të mira zbatuese. Për “Besën”, vetingu është votë në zgjedhje elektorale. Sipas tyre, pastërtia dhe drejtësia e sistemit do të vijë kur ata të ngjiten në pushtet me “vetingun e votës”. Kurse opozita maqedonase e VMRO-së, u ankua për joseriozitet të Bashkimit Demokratik per Integrim, pasi ky projektligj qenka inicuar në vigjilje të punës së legjislativit. Me arsyetim se të ishte akt serioz, do duhej të inicohej disa vite më herët. Se sa është serioze VMRO-ja me këtë reagim, si protagonist kryesore e nxitjes dhe zhbërjes së sistemit gjyqësor, ngritjes se saj në rrjet kriminal, anarki korruptive pushtetare të viteve radhazi, shtuar edhe opozitarizmin e tanishëm në mbrojte të vazhdueshme të kriminelëve të zbuluar nga afera e përgjimeve, kuptohet qartë, që reagimin për projektligjin e kanë demagogji, dhe aspak dëshirë për të pasur një veting me të hershëm.

Ajo çka ju mbetet partive opozitare, pasi e humbën shansin të jenë protagoniste të mekanizmit të vetëm që mund të shërojë dhe sjellë drejtësinë në rrethanat si tonat, është që të bëjnë opozitë produktive, e jo destruktive. Kryesisht opozitës shqiptare, e cila është konkurente zgjedhore me partinë e projektligjit në fjalë, i mbetet shanci i protagonizmit të diskutimeve, ankimeve, propozimeve zyrtare, për atë se si duhet të jetë ligji më i arrirë, për të mos qenë një ligj i vetingut joadekuat në luftën kundër kurrupsionit dhe joprofesionalizmit të bartësve të punëve publike. Të jetë një ligj i pakompromistë me filtra rigoroz të provuar në praktikat më të mira të shteteve tjera, që këtë situatë ekstreme të prishur të gjyqësorit dhe korrupsionit gjithësfershëm, ta shërojë me një mekanizëm të mirëfilltë ekstrem vetingu. E gjitha, për të mos humbur kohë me komisione dhe organe të ngjashme parlamentare apo shtetërore, të cilat janë treguar të padobishme në zbulimin e pasurive korruptive, lidhjeve kriminale dhe punës joprofesionale të bartësve publik, e cila gjë do të rezultonte në shkarkimin e tyre dhe pamundësinë për të qenë përsëri pjesë e sistemit, si profesionistë të pavarur apo të funksioneve dytësore në aparatin shtetëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button