KULTURA SI ARMË: CIVILIZACIONIZMI (II)

Dimensioni tjetër i civilizacionzmit është antiglobalizmi. Një vepër që e trajton këtë çështje është edhe ajo vitit 2017 e gazetarit të The Daily Caller, Zero Hedge dhe XYZ, Moses Apostaticus që titullohet Civilizationism: Why The West is Collapsing and How We Can Save It (Civilizacionizmi: Pse po shkatërrohet Perëndimi dhe si mund ta shpëtojmë atë?).

Sipas tij globalistët duan një botë të skllevërve që mund t’i sundojnë me një grusht të hekurt. “Kjo agjendë për shkatërrimin e Perëndimit të krishterë po përparon qe një kohë të gjatë. Ne jemi të mashtruar, ua kemi dhënë tokën tonë të tjerëve. Elita ua ka dorëzuar teknologjinë dhe pasurinë tonë të huajve që kanë interesa që dallojnë nga tonat.” Apostaticus rinisë i drejtohet më këto fjalë: “Rini e Perëndimit, brezi juaj jeni shpresa e vetme për ta shpëtuar qytetërimin tonë. Brezat më të vjetër na kanë shitur te klika globaliste që ju urren juve dhe dëshiton t’i shkatërrojë kombet tona. Ju jeni shansi i fundit për të shpëtuar qytetërimin më të mirë që ka prodhur ndonjëherë njerëzimi. Është fat i juaji.”

Autori në fjalë shton se kjo agjendë djallëzore duhet të ndërpritet dhe perëndimorëve duhet t’iu kthehet e drejta për mbrojtjen vlerave si trashëgimtarë të lirë dhe krenarë të qytetërimit gjegjës. “Për të bërë një gjë të tillë duhet të ndalojmë së besuari rrenave të globalistëve dhe të përkujtojmë sërish krenarinë e trashëgimisë së qyterërimit tonë.” Një aktore e kësaj tendence, Le Pen partinë e saj e ka prezantuar si as të djathtë e as të majtë dhe ka premtuar t’i mbrojë punëtorët kundër “globalizimit të egër”.

Përmasa e tretë e civilizacionimit është ajo antimarksiste, që niset nga presupozimi se neo-marksizmi përmes të Majtës së Re (New Left) radikale nga vitet 1960 ka marrë nën kontroll universitetet dhe në mënyrë progresive po e degjeneron kulturën, po i indoktrinon të rinjtë që të urrejnë vetëveten. E gjithë kjo nuk bëhet aty për aty, është një fushatë e koncertuar për të shkatërruar themelet e qytetërimit perëndimor dhe për të krijuar një botë të robërve pasivë, të dëgjueshëm ndaj elitës globaliste.

Civilizacionizmi si shprehje e re që qarkullon në diskutimet politike të kohës në një aspekt nënkupton edhe sekuritizimin, pra trajtimin e të gjitha njerëzve dhe lëvizjeve të shënjestruara nga aspekti i sigurisë. Ai jep mundësitë për të etiketuar individë dhe qarqe të caktuara si anticivilizuese, barbare, terroriste e kështu me radhë.

Edhe në debatet publike dhe politike shqiptare është prezent civilizacionizmi që në një mënyrë shenjtëron gjakun, ngjyrën, historinë, kulturën, duke anatemuar shumëngjyrshmërinë brendashqiptare, duke përjashtuar gjithçka që s’ndërlidhet me matricat monolite të formësuara nga ideologët që kanë filozofuar/ideuar kombin në një kontekst të caktuar dhe me në bazë të një botëkuptimi a ideologjie kufizuese. “Mendimtarë” e autorë të vetëthirrur pandërprerë vendosin pikën mbi i lidhur me identitetin, sikur të ishin të autorizuar që të flasin në emër të të gjithë kombit, bëjnë listat e atakuesve të civilizimit të mirëfilltë, duke krijuar kështu përçarje brenda vetë nesh. Civilizacionistët tanë sikur edhe të tjerët, janë rigjidë, antiliberalë, paraqiten si shpëtimtarë të kulturë-qytetërimit (perëndimor) ndonëse ligjërata e tyre është anti-kulturore dhe anti-civilizuese.

Ata etiketojnë një pjesë të mirë (shumicën dërrmuese) të shqiptarëve si anadollakë, turkofilë, talebanë, fundamentalistë, radikalë, “antiperëndimorë”, “tradhtarë të vlerave atërore”, thirrin për (ri)konvertim, “kthim te rrënjët”, paraqiten si “mbrojtësit më të mëdhenj e të paepur të qytetërimit perëndimor”, flasin për “diellin shqiptar” (!) që lind në Perëndim, i bëjnë thirrje Amerikës ta shkatërrojë Mekën e Medinën etj. Përderisa civilizacionistët parakë hovin e tyre e kanë ndaj “tjetrit të jashtëm”, këta tanët e krijojnë “tjetrin” brenda nesh.

Shkurt, siç shprehet Pipes, civilizacionizmi prek në damarin e njëjtë si nacionalizmi i shekullit XX – tradita, vlerat dhe ndjenja individuale e identitetit – por i shmanget dimensionit strikt territorial të nacionalizmit, siç tregon edhe vetë semantika, lidhet me një kontekst më universal, gjithnjë duke u nisur nga skenaret futuriste ogurzeza për botën e civilizuar.

Sipas Lauševićit, të lësh identitetin dhe shekullarizmin në monopolin e nacionalistëve do të thotë rrezik për shoqëritë e hapura dhe rendin liberal-demokratik ku duhet të mbizotërojë liria e besimit dhe individit. Europa për momentin po vuan nga teprica e populizmit që flet për krizën apo dështimin e projektit të multikulturalizmit, nga një civilizacionizëm që sipas James M. Dorsey nga Universiteti i Wurzburgut përbën kërcënimin më të madh për të drejtat e njeriut në shekullin XXI.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button