Si duhet të përdoren ose shpërndahen nga mediat pamjet e rënda si pjesë e lajmit?

Burimi: KriThink
A duhet të përdoren, përpunohen ose shpërndahen nga media pamjet (fotografitë dhe videot) që përmbajnë gjak, dhunë, viktima, dhe të ngjashme? Kjo pyetje qarkullon dhe diskutohet nga njerëzit e mediave në të gjithë botën dhe mendimet e tyre dallojnë. Tani që rrjetet sociale janë mediat më masive për shpëndarjen e këtyre pamjeve, dilema nuk vlen vetëm për përmbajtjet e mediave informative.

  • Shkruan: Fatlume Dervishi

Vetëdijsimi nëpërmjet pamjeve

Edhepse kanë kaluar më se katër vjet, të gjithë e kujtojnë fotografinë e Alanit të vogël nga Siria, i mbytur në ujërat Mesdheut, në përpjekje për të migruar në Evropë? Ajo u shpërnda në të gjithë botën si thirrje për vetëdijësim për pasojat e këtij konflikti. Kjo ngjalli shumë pikëpyetje edhe në mesin e gjigandëve botëror mediatik, nëse publikimi i fotografisë ishte vendim i drejtë. Në një artikull që fillon me pyetjen “A janë imazhet e dhunës dhe vdekjes shumë shqetësuese për t’u publikuar, ose shumë të rëndësishme për t’u injoruar?” kryeredaktori i bild.de, Gjulian Rejçelt (Julian Reichelt) shkruan “ne duhet ta detyrojmë veten të shikojmë”.

Lajmi për humbjen masive të jetëve të këtyre njerëzve është me interes publik, me interes botëror, është detyrim i gazetarit për të ngritur zërin, për të përcjellë mesazhin e ngjarjes reale. Historia njeh mijëra fotografi të këtilla me mesazhe të fuqishme. Po të mos ishin publikuar, mesazhi që do të përcillte historia dhe ndikimi i tij nuk do të kishte qenë kurrë i njëjtë, përshkrimet me fjalë nga ana e gazetarit nuk do të kishin mjaftuar, qindra burime të cituara nuk do të ngjallnin të njëjtin emocion. Thjeshtë, pamjet u japin fuqi fjalëve.

Raportimi për vetëvrasjet dhe tentimet për vetëvrasje

Ditë më parë, në mediat tona me shpejtësi u shpërnda fotografia e një personi nga Velesi që kishte tentuar vetëvrasje duke i vënë flakën vetes në publik. Teksti, pothuajse në të gjitha publikimet, është njësoj dhe shumë i shkurtër. Është lajm i Agjencisë së lajmeve MIA.

Informacionet janë marrë nga terreni në momentin e ngjarjes dhe janë publikuar me shpejtësi pa konfirmim zyrtar dhe të dhëna plotësuese. Fotografia është shkrepur nga një distancë e konsiderueshme dhe nuk vërehen detaje.

Ja disa nga publikimet:

Raportimi mbi vetëvrasjen ose tentimin për vetëvrasje mund të ndikojë negativisht në shtimin e rasteve ose pozitivisht në inkurajimin për të kërkuar ndihmë. Mënyra e raportimit ka shumë rëndësi, se si i qasesh rastit dhe si informon mbi të. Këto janë raste individuale por edhe probleme shoqërore. Por, përveç tekstit, po aq rëndësi duhet t’u kushtohet edhe pamjeve.

Sipas Rekomandimeve për raportimin mbi vetëvrasjet, “Më shumë se 50 studime në mbarë botën kanë zbuluar se lloje të caktuara të raportimit nga mediat mbi vetëvrasjen mund të rrisin gjasat për vetëvrasje te personat e pafuqishëm”. Po i njëjti studim rekomandon që “në vend të përdorimit të fotografive dhe videove të lokacionit ose metodës së vdekjes, të familjeve në zi, të miqëve, memorialeve ose funeraleve, të përdoren fotografi nga shkolla, puna ose të familjes, përfshirë logon e linjës për ndihmë ose numrin e telefonit lokal për kriza” (ose mënyra të ngjashme për parandalim dhe ndihmë).  Këtë nuk e gjen pothuajse asnjëherë në mediat tona. Publiku shumë rrallë informohet se cilat janë alternativat e njerëzve të brishtë që ndonjëherë janë prekur nga ato mendime dhe ku duhet të drejtohen për ndihmë.

Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin ublik. Gazetari është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe vuajtjen e personit – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Arsyet e këtij tentimi për vetëvrasje, të rastit të lartpërmendur, mund të jenë shumë individuale. Në këtë rast pamjet (fotografitë ose videot) nuk kanë aspak lidhje me interesin publik, nuk përçojnë një mesazh vetëdijësimi dhe nuk paraqesin thirrje për vëmendje dhe sensiblizim. Përdorimi i fotografisë nga mediat është bërë për arsye senzacionale. Pavarësisht distancës nga e cila është shkrepur fotografia, në të tregohet në njeri në flakë dhe kjo është shqetësuese.

Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Disa pyetje që gazetari duhet t’i bëjë vetes përpara se shfrytëzon pamje të rënda (sipas Asociacionit të lajmeve të radiove dhe televizioneve digjitale RTDNA):

  • Cili është qëllimi gazetaresk pas transmetimit të këtyre pamjeve? A e qartëson ky material dhe e ndihmon audiencën ta kuptojë më mirë ngjarjen?
  • A është ajo çështje e interesit të madh publik, politikave publike, benefiteve të komunitetit ose me rëndësi shoqërore?
  • A është kjo forma e vetme e tregimit të ngjarjes? Cilat janë alternativat?

Nëse i kalon këto filtra dhe përsëri mbisundon ideja që pamjet është mirë të publikohen, shumë media informative në mbarë botën përdorin edhe një formë tjetër të paralajmërimit të lexuesve dhe shikuesve të tyre për përmbajtjet e rënda grafike që vijojnë më tej në përmbajtjet e tyre.

Fotografi ilustruese - Paralajmërim në Facebook
Fotografi ilustruese – Paralajmërim në Facebook

Lexuesit ose shikuesit përgatiten paraprakisht në aspektin psikologjik për përmbajtjen e informacionit që vijon ose vendosin të qëndrojnë larg tij. Kjo formë e informimit të shikuesve vërehet ndonjëherë edhe në fillim të programeve të caktuara televizive. Edhe rrjetet gjigande sociale në politikën e tyre të përdorimit kanë një pjesë ku theksojnë se zbatojnë këto parime. Paralajmërimet për pamje të rënda përpara se të mund t’i shohim ato, tashmë janë edhe në Facebook, Instagram dhe Twitter.

Deri tani, Kodi etik i gazetarëve në vend nuk parashikon përdorimin nga media të paralajmërimit të këtij lloji.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button