Palestinezët ndërprenë çdo marrëdhënie me SHBA dhe Izraelin

Lidhja Arabe hodhi poshtë planin e paqes të Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme në një takim të ministrave të jashtëm të organizatës në Kajro të shtunën, duke thënë se ky plan nuk do të çonte në një marrëveshje të drejtë paqeje, transmeton OraNews.

Lidhja Arabe nuk do të punojë me Shtetet e Bashkuara në zbatimin e projektit, thuhet në një deklaratë të përbashkët. Izraeli nuk duhet ta zbatojë me forcë këtë iniciativë, thanë Ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe në një deklaratë të përbashkët.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas njoftoi sot pezullimin e “të gjitha marrëdhënieve”, përfshirë ato që lidhen me sigurinë, midis Autoritetit Palestinez, nga njëra anë, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Lidhjes Arabe për planin amerikan të paqes.

Kreu i Shtetit palestinez ka thënë se nuk do ta pranojë “marrëveshjen e shekullit”, siç edhe u cilësua nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, gjatë prezantimit më 28 Janar.

Abbas tha se “marrëveshja e shekullit” nuk mund të përbëjë bazën për një marrëveshje të ardhshme paqeje me Izraelin në asnjë rrethanë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk do të ketë asnjë marrëdhënie me ju (izraelitët) dhe as me Shtetet e Bashkuara, përfshirë sektorin e sigurisë, pas planit amerikan që është një “shkelje e Marrëveshjeve të Oslos “, të nënshkruar me Izraelin në 1993”, tha presidenti palestinez në Kajro.

Izraeli dhe forcat e sigurisë së Palestinës kanë bashkëpunuar prej kohësh në Bregun Perëndimor të okupuar.

Palestina gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e inteligjencës me SHBA, e cila ka vazhduar megjithëse palestinezët në vitin 2017 bojkotuan përpjekjet për paqe të administratës Trump.

Abbas, i cili tha se i kishte përcjellë mesazhin kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i bëri thirrje shtetit hebre që të “marrë përgjegjësinë si një forcë okupuese” në territoret palestineze.

Palestinezët “kanë të drejtë të vazhdojnë betejën e tyre të ligjshme me mjete paqësore për t’i dhënë fund okupimit,” shtoi ai.

Abbas gjithashtu tha se ai refuzoi të diskutojë planin e tij me Trump apo të marrë një kopje të tij për ta studiuar.

“Trump kërkoi të flisja me të në telefon por unë i thashë ‘Jo’ dhe ai dëshiron të më dërgojë një kopje të planit… por unë nuk pranova,” tha ai.

Plani amerikan, i njoftuar të martën nga Donald Trump, i cili kryesisht kërkon të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar nga Izraeli, ka tërhequr zemërimin e shumë izraelitëve por edhe palestinezëve.

Midis shumë pikave të ndjeshme të planit është aneksimi i vendbanimeve të Izraelit që i ka ndërtuar në Bregun Perëndimor të okupuar që nga viti 1967, veçanërisht në Luginën Jordan, i cili do të bëhet kufiri lindor i Izraelit.

Vendbanimet e ndërtuara në territoret palestineze të okupuara nga Izraeli që nga viti 1967 janë shpallur të paligjshme nga Kombet e Bashkuara, dhe shumë nga bashkësia ndërkombëtare i konsideron ato një pengesë kryesore për paqen.

Megjithëse kolonizimi izraelit i Bregut Perëndimor të okupuar është vazhduar nga të gjitha qeveritë që nga viti 1967, ai është përshpejtuar vitet e fundit me nxitjen e Netanyahu dhe aleatit të tij në Uashington, Presidenti Donald Trump.

Plani i Trump kërkon gjithashtu njohjen e Jeruzalemit si një kryeqytet i pandarë i Izraelit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button