Palestinezët protestoјnë kundër të ashtuquajturit “Plani i paqes” (VIDEO)

Palestinezët që janë shtetas izraelitë dhe që jetojnë në veri të Izraelit protestuan kundër të ashtuquajturin “Plani i Paqes për Lindjen e Mesme” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Një numër i madh i palestinezëve, shtetas izraelitë u mblodhën në qytetin Baka Al-Garbiya dhe zhvilluan një marshim me qëllim për të kundërshtuar planin. Me flamuj palestinezë protestuesit mbajtën në duar pankarta me mbishkrimet “Jo Planit” në gjuhët arabisht, anglisht dhe hebraisht.

Ndaj marshimit të mbështetur edhe nga deputetët me origjinë palestineze në Parlamentin izraelit, u brohoritën shpeshherë edhe sloganet “Paratë e SHBA-së dhe Arabisë Saudite nuk mjaftojnë për të blerë Kudsin” si dhe “Kudsi është i yni”.

– “Ky plan është shumë racist kundër palestinezëve që jetojnë brenda kufijve të Izraelit”

Sami Ebu Shahid, deputeti i bllokut të listës së përbashkët arabe, grupi i tretë më i madh në Parlamentin izraelit dhe i cili përbëhet nga partitë që përfaqësojnë palestinezët shtetas izraelitë, në deklaratën për AA ka reguar ndaj të ashtuquajturit “Plani i paqes” të shpalosur nga presidenti amerikan Trump.

“Planin e Trumpit nuk e shohim si një marrëveshje, por si një komplot i cili tenton t‘i japë fund ëndrrës që palestinezët të kenë shtet të pavarur”, tha Shahid duke bërë të ditur se marshimi zhvillohet me qëllim për të reaguar ndaj planit të paqes në fjalë.

Ai tha se plani synon heqjen e shtetësisë ndaj palestinezëve që janë shtetas izraelitë dhe që të shkëmbejë territoret ku jetojnë palestinezët brenda kufijve të Izraelit. “Ky plan është shumë racist kundër palestinezëve që jetojnë brenda kufijve të Izraelit. Plani i presidentit amerikan është plan racist që vendos se ku do të jetojnë në të ardhmen 300 mijë palestinezë që jetojnë në Izrael dhe ne e refuzojmë këtë plan”, tha Shahid.

– “Palestinezët do ta ndryshojnë hartën politike në Izrael”

Lidhur me të ashtuquajturin “Plani i paqes” që Trump e prezantoi nga Shtëpia e Bardhë duke ftuar edhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, deputeti Shahid tha se “Ftesa e Netanyahut në këtë takim ku u shpalos plani racist nënkupton se mbështet atë (Netanyahun) në zgjedhjet që do të mbahen në Izrael. Unë besoj se Netanyahu këtë herë do t‘i humbasë zgjedhjet. Sigurisht që kjo varet nga votat e arabëve. Votat e arabëve do ta ndryshojnë hartën politike në Izrael”.

Theksohet se norma e pjesëmarrjes së palestinezëve, shtetas izraelitë do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve që do të mbahen në Izrael më 2 mars.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button