Shkup, delegacioni qeveritar diskutoi problemet e investitorëve të huaj

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga zv/kryeministrja për çështje ekonomike në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut, Milla Carovska, kanë zhvilluar takim pune me përfaqësuesit e kompanive anëtare të Këshillit të Investitorëve të Huaj pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Së bashku me zv/kryeministren Carovska ishin edhe ministrat për investime të huaja, Zorica Apostollska, Bardhyl Dauti dhe Elvin Hasan, si dhe disa përfaqësues të tjerë të organeve shtetërore.

Në deklaratë për media para fillimit të takimit, Carovska u shpreh se do të diskutohen propozimet e investitorëve për avancimin e ekonomisë dhe klimës afariste.

“Ne si Qeveri kemi analizuar të gjitha propozimet e paraqitura nga Këshilli i Investitorëve të Huaj, kemi bërë analiza. Sot në këtë takim do të diskutojmë se cilat janë ato gjëra që janë zbatuar deri më tani, çka mbetet si sfidë para nesh, natyrisht, para se ata të publikojnë ‘Librin e Bardhë’ për vitin 2019”, tha Carovska.

Duke folur për “Librin e Bardhë”, kryetari i Këshillit të Investitorëve të Huaj, Stefan Peter, tha se në të paraqiten propozime për zgjidhjen për problemet me të cilat ballafaqohen.

Ai tha se takimi me përfaqësuesit qeveritarë ndodh në moment të duhur, duke theksuar se ekonomia duhet të vazhdojë funksionimin, pavarësisht se vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi, drejtorëve të përgjithshëm të kompanive, vendase dhe të huaja, i inkurajoj ata të marrin vendime, të mos i prolongojnë dhe të mos presin zgjedhjet dhe rezultatet e zgjedhjeve, por t’i vendosin qëllimet e tyre tani dhe të veprojnë sipas tyre”. tha Peter.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë planifikuar të mbahen më 12 prill, ndërsa sipas dispozitave kushtetuese, Kuvendi duhet të shpërndahet 60 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button