Kosovë, të hënën do të mbahet seanca parlamentare për votimin e qeverisë së re

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të të propozuarit për kryeministër, kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vendosur që të hënën në orën 11:00 të zhvillojë seancë parlamentare ku pritet të votohet qeveria e re e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e cila kishte pikë rendi të ditës vetëm shqyrtimin e kërkesës së mbrëmshme të Kurtit e pranoi pozitivisht kërkesën për ditën dhe orën e caktimit të seancës për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë për gati 4 muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes tha se “Ai (Kurti) e ka kërkuar datën 3 shkurt dhe orën 11 që kjo seancë të mbahet. Mbledhja e Kryesisë vendosi njëjtë. Pra, që të respektohet kjo datë dhe kjo orë”.

Duke folur për mundësinë e arritjes së një koalicioni qeverisës të Vetëvendosjes (VV) me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me të cilët bisedimet po vazhdojnë tash e disa muaj, Konjufca tha se është optimist se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Natyrisht, bisedimet po vazhdojnë. Nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, por unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e Qeverisë Kurti të cilën aq shumë janë duke e pritur qytetarët e Kosovës dhe për të cilën kanë votuar ata më 6 tetor gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare”, tha Konjufca.

Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet ta votojnë me shumicë për t’u zgjedhur kryeministër.

Ndërkohë VV dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit.

Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se Kurti nuk i ka njoftuar se do të thërrasë seancë për votimin e qeverisë, megjithëse edhe ata janë shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Asnjëra nga partitë në fjalë ende nuk kanë dhënë njoftim për ndonjë takim pas kërkesës së caktimit për ditën e seancës ku pritet të votohet ekzekutivi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button