Gjermani, është rritur në 5 numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit

Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit të ri (2019-nCoV) në Gjermani është rritur në pesë, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i rasteve të konfirmuara, i cili deri më tani ishte katër, përfshirë një grua, është rritur pasi së fundmi sëmundja është vërejtur edhe te një person tjetër, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Bavarisë.

Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, personi i fundit i prekur ka punuar në një kompani në rajonin Starnberg së bashku me katër personat e konfirmuar më herët.

Ministria tha se 110 persona të tjerë që punojnë në të njëjtën firmë dhe kanë pasur kontakt me të infektuarit janë duke u kontrolluar.

Nga ana tjetër, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i ftuar në një program në kanalin ZDF, tha se shpallja e një gjendjeje të jashtëzakonshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është e rëndësishme për bashkëveprimin dhe koordinimin e komunitetit ndërkombëtar.

Spahn tha se Gjermania synon t’i kthejë rreth 100 shtetasit e saj që gjenden në Wuhan, qytetin kinez ku shpërtheu epidemia, dhe shtoi se Ministria e Jashtme gjermane po përpiqet të arrijë rezultate duke kontaktuar me autoritetet e Kinës.

Ndryshe, koronavirusi deri më tani ka marrë jetën e të paktën 213 njerëzve në Kinë, ndërsa mbi 9.000 janë infektuar. Po ashtu, më shumë se 60.000 njerëz kanë qenë nën vëzhgimin mjekësor.

Që nga shpërthimi i epidemisë në fund të vitit të kaluar, Kina e ka vendosur qytetin Wuhan, ku u shfaq virusi, nën një bllokim në përpjekje për ta parandaluar përhapjen.

Përveç Kinës, raste të virusit janë regjistruar edhe në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Gjermani, Vietnam dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen në aeroportet në mbarë botën, ndërkohë që shumë linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button