Grupet punuese partiake në përpjekje të re për kompromis për Ligjin prë PP

Sot pritet që të takohen sërish grupet partiake punuese për të arritur kompromis, për propozim-ligjin për Prokurori Publike, njofton Portalb.mk.

Pas takimit në Kuvend, do të dihet nëse do të tejkalohen të gjitha çështjet mes pushtetit dhe opozitës dhe nëse përfundimisht propozim-ligji do të jetë në seancë plenare për votim.

Takimi, ashtu siç shkruajti në Fejsbuk, ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, është me qëllim që të harmonizohet teksti i cili do të hyjë në procedurë kuvendore. Sipas Deskoskës, ky propozim-ligj nënkupton ndërtimin e fuqishëm të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, i cili edhe përskaj kompetencave që i ka, do t’i marrë edhe rastet që i ka udhëhequr Prokuroria Speciale.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi se nëse deri te Kuvendi do të dorëzohet propozim-ligji i harmonizuar për Prokurori Publike, ai menjëherë do ta vendos në seancë kuvendore.

“Ka mundësi të tillë sipas rregullores”, deklaroi Xhaferi dhe shtoi e varet prej vullnetit të përbërjes parlamentare.

Edhe kryeministri Oliver Spasovski deklaroi se është e rëndësishme që të miratohet zgjidhje ligjore që do të nënkuptojë, para se gjithash, mundësi për drejtësi për çdo qytetar në shtet dhe zgjidhje ligjore e cila, sipas tij, nuk do të lejojë që të mbrohet asnjë individ pa dallim nëse ai është pjesë e kësaj qeverie apo paraprake, nëse është në çdo pozitë në shtet ose është qytetar i thjeshtë.

debatin publik që u mbajt në Kuvend, kryeministri Spasovski tha se kishte se çfarë të dëgjohet nga ana e ekspertëve, të cilët në mënyrë objektive dhe në kuadër të ekspertizës së tyre patën mundësi ta thonë mendimin e tyre në lidhje me zgjidhjen ligjore.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pret marrëveshje për ligjin për Prokurori Publike, pasi që siç thotë ai, të gjithë e kanë të qartë se bëhet fjalë për zgjidhje formale-juridike për të cilën ka nevojë shteti. Ai apeloi që pas debatit publik në Kuvend, në tre ditët e ardhshme partitë t’i kenë gati të gjitha porpozimet, por në formë të amendamenteve dhe të njëjtat të futen në ligj dhe Qeveria të hënën do ta dorëzojë në Kuvend dhe ai do të votohet deri përpara shpërndarjes së Kuvendit.

“Miratimi i Ligjit për Prokurori Publike e garanton ardhmërinë evropiane të shtetit. Çdo pengim i këtij procesi nënkupton ikje prej drejtësisë dhe largim prej Bashkimit Evropian. Të tregojmë kapacitete të vërteta demokratike për ndërtimin e institucioneve të fuqishme dhe të pavarura, të cilat do të luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit”, thotë Zaev.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, përndryshe dhe anëtar i grupeve punuese për ligjin për Prokurori Publike, deklaroi se debati publik në pjesën më të madhe ishte vërtetim i shumë vërejtjeve që paraprakisht i ka thënë opozita për këtë ligj që siç e quan ai, jokompletues dhe me shumë mangësi.

“Të vetmit që e lavdëruan këtë tekst, ishin ata që punuan në të, siç ishte akademiku Kambovski, ndërkaq ekspertët publik ishin përafërsisht konkret dhe kritikues. Konkluzioni jonë nga ky debat publik është se numri më i madh i ekspertëve rekomanduan që ky ligj të ripërpunohet nga Ministria e Drejtësisë”, tha Milloshoski.

Derisa zgjate debati për ligjin për Prokurori Publike, euroambasadori Samuel Zhbogar, në Tuiter shkruajti se shpresojnë që ligji në fjalë të miratohet përpara shpërndarjes së Kuvendit.

“Vendi duhet që të vazhdojë ta tregojë përkushtimin e saj në reforma, veçmas në fushat kyçe”, deklaroi Zhbogar, duke shtuar se zgjidhja ligjore është bazë e mirë që të miratohet vendim konsensual.

Për tejkalimin e interesave partiake dhe miratimin e ligjit për Prokurori Publike ftoi edhe ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Merki Bërns.

“Miratimi i ligjit të ri për PP-në do ta avancojë sundimin e së drejtës, transparencën dhe përgjegjësinë. E theksojmë edhe rëndësinë e rasteve të PSP-së që të vazhdojnë të procedohen në mënyrë të besueshme në Prokurorinë Publike. Besojmë se këto janë vendimet e vërteta që të krijohet besim te qytetarët dhe të konfirmohet se individë të cilët kryejnë funksione të larta do të bartin  përgjegjësinë për çfarëdo lloj keqpërdorimesh. Ky është sinjal i rëndësishëm. Vetë ligji është kyç jo vetëm si sinjal për BE-në, por edhe për të ardhmen e vendit. Apelojmë deri te të gjithë liderët e partive politike të ulen bashkë, t’i tejkalojnë dallimet, t’i lënë mënjanë pozicionet e tyre partiake dhe të punojnë për këtë ligj, ta miratojnë, është e dëshirueshme, para shpërbërjes së Kuvendit, që vendi të vazhdojë në rrugën e tij”, deklaroi Bërns.

Propozim-ligji i ri për Prokurori Publike pritet që të miratohet deri më 12 shkurt, kur duhet të shpërndahet kuvendi, pasi që më 12 prill do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për miratimin e tij duhen shumicë prej dy të tretave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button