FRASH: Me këto masa, RMV-ja do të mbetet shteti më i ndotur në botë

Sot në Sheshin Skendërbeu në Shkup, Forumi Rinor i partisë Aleanca për Shqiptarët (FRASH) mbajti konferencë për shtyp me temë masat e ndërmarra për ndotjen e ajrit në Maqedoninë e Veriut, njofton Portalb.mk. Ata kërkuan të ndërmerren masa më rigoroze kundër ndotjes së ajrit dhe importimit të mbeturinave toksike në vend.

Masat për parandalimin e ndotjes së ajrit që Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor i ka marrë, nuk mjaftojnë, thonë nga FRASH.

“Masat e dobëta që ka ndërmarrë Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk rezultojnë pozitive në parandalimin e ndotjes së ajrit sepse Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdon të ngelet vendi më i ndotur në botë dhe këtë e dëshmon niveli i lartë i grimcave kancerogjene PM 10 që gjithnjë e më shumë janë në rritje”, tha Liridona Emini nga FRASH.

“Aleanca për Shqiptarët disa herë ka shpalosur dokumente që tregojnë neglizhencën e qeverisë mbi këtë çështje si dhe kërkesat tona çdoherë kanë hasur në vesh të shurdhër. Për këtë arsye në platformën tonë do të parashohim masa konkrete me të cilët do ta ofrojmë zgjidhjen e kësaj dukurie” u shpreh ajo.

Ndërkaq Driton Demiri, nënkryetar i FRASH, tha se masë konkrete nga kjo parti, do të jetë angazhimi i policisë ekologjike e cila në veçanti do të merret me problemin e ndotjes së ajrit.

“Pra, do të mundësojë mekanizëm e cila do ta bëjë të mundur implementimin e të gjithë masave parandaluese të parapara në platformën e Aleancës.” tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button