Abbas do të kundërshtojë planin e Trumpit në mbledhjen e OKB-së

Ambasadori i Palestinës në Kombet e Bashkuara (OKB), Riyad Mansour, tha se zyrtarët palestinezë do të përpiqen të nxisin kundërshtimin ndaj planit të diskutueshëm të presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Lindjen e Mesme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në javët e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para përfaqësuesve të mediave në New York, Mansour tha se presidenti palestinez Mahmoud Abbas do të mbajë fjalim në Këshillin e Sigurimit brenda dy javëve të ardhshme dhe do të përshkruaj planet për një projekt-rezolutë për të kundërshtuar të ashtuquajturën planin e paqes që Trump publikoi të martën.

Mansour dha vetëm disa detaje se çka do të përmbante projekt rezoluta, duke thënë vetëm se do të përdorte gjuhën “më të fuqishme të mundshme”, si dhe atë që zyrtarët palestinezë “do të dëshironin të shohin kundërshtime të fuqishme, të mëdha ndaj këtij plani të Trumpit”.

Duke qëndruar pranë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Washington, presidenti amerikan Donald Trump të martën shpalosi një plan të ashtuquajtur për paqen në Lindjen e Mesme, i cili u kritikua shpejt për favorizimin e Izraelit dhe goditjen e shpresave palestineze për qeverisjen e vendit të tyre një ditë.

Sipas ambasadorit Mansour, marrëveshja e propozuar “u jep izraelitëve përparësi dhe nuk është një recetë për paqe ose drejtësi”. Ai gjithashtu tha se kjo është një recetë për shkatërrimin e të drejtës kombëtare të popullit palestinez dhe nuk do të fluturojë.

“Plani nuk është i pranueshëm dhe ata që mendojnë se populli palestinez do të avullojë, kjo nuk do të ndodh. Ata që mendojnë se populli palestinez do të mbledhin gjërat dhe do të largohen, kjo nuk do të ndodh”, tha Mansour i shoqëruar nga ambasadori i Tunizisë në OKB.

Më herët, zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se qëndrimi i OKB-së për paqen mes Izraelit dhe Palestinës nuk ka ndryshuar pas shpalljes së planit amerikan dhe iu referua rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit.

“OKB mbeten të përkushtuara të mbështesin palestinezët dhe izraelitët për të zgjidhur konfliktin në bazë të rezolutave të OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve dypalëshe, si dhe duke realizuar vizionin e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që jetojnë së bashku në paqe dhe siguri brenda kufijve të njohura në bazë të linjave para vitit 1967”, tha Dujarric në një deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button