Akuzat kundër Trumpit “nuk përbëjnë bazë” për hetim ose shkarkim

Ekipi ligjor i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donal Trump, tha se edhe nëse ky i fundit ka bërë përpjekje të kushtëzojë ndihmën ushtarake për Ukrainën me favore politike, një gjë e tillë nuk paraqet bazë për hetimin ose shkarkimin e mundshëm të presidentit.

Profesori i pensionuar, Alan Dershowitz, anëtar i ekipit mbrojtës të Trumpit, tha se çdo politikan i barazon interesat e veta me të mirën publike, andaj “nuk mund të ketë bazë për shkarkim”.

Ai bëri këto komente në Senat, institucionin që po gjykon Trumpin, transmeton REL.

Trump është akuzuar nga rivalët demokratë për keqpërdorim të detyrës, duke i bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tijin politik.

Trump është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me procedura të shkarkimit.

Gjykimi i dy të parëve ka përfunduar me lirimin e tyre.

Pritjet janë që edhe Trump të shpallet i pafajshëm, meqë Senati kontrollohet nga Partia e tij Republikane.

Akuza formale e demokratëve thotë se Trump “ka shfrytëzuar kompetencat e tij zyrtare për t’i bërë presion Qeverisë së Ukrainës, që të ndërhyjë në zgjedhjet në SHBA, në favor të përfitimit të tij personal”.

Sipas akuzës, Trump më pas ka bërë përpjekje ta fshehë këtë skemë duke penguar punën e Kongresit.

Trump e mohon çdo keqbërje dhe hetimet kundër tij i cilëson si “gjueti shtrigash”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button