Dramë gjithandej

Gjykimi për rastin “Shantazhi” bëhet gjithnjë e më dramatik. Gjatë kësaj jave pamë të paraqiten si dëshmitarë shumë persona që kanë pasur lidhje personale ose profesionale me të akuzuarit në këtë rast. Situatat e krijuara janë posaçërisht të turpshme kur persona që kanë qenë në krye të luftës kundër korrupsionit në këtë vend lëshohen në debate dhe zënka verbale që nuk u kanë hije as personave që gjithë ditën e kalojnë nëpër pietore.

Ishte njëkohësisht e dhimbshme dhe e tmerrshme të dëgjohet apo të lexohet për fjalorin e përdorur nga ish-prokurorja speciale. Pavarësisht që ky është një moment i vështirë në jetën e saj, sepse normalisht, nuk është e lehtë nga hero të kthehesh në zero, sërisht është e papranueshme ajo mënyrë e sjelljes dhe e shprehjes në gjykatë. Të gjithë jemi qenie emocionale, sigurisht që ajo që thuhet për ne ndikon shumë tek ne, pavarësisht nëse është e vërtetë apo gënjeshtër, por megjithatë, ka sjellje të cilat gjithmonë dhe gjithkund janë të patolerueshme. Me paraqitjen e saj në këtë gjykim gjatë kësaj jave ish prokurorja speciale varrosi përfundimisht çdo lloj respekti që dikur ka gëzuar dhe tregoi një fytyrë e cila për publikun e gjerë deri tani nuk ka qenë e njohur.

Nga ana tjetër i kemi edhe dëshmitarët e ri që paraqiten në të njëjtën akuzë kundër Boki 13. Miq të deridjeshëm që akuzohen ndërmjet tyre, akuza të të akuzuarve ndaj prokurores që udhëheq me rastin për involvime në korrupsion, me një fjalë, një situatë aq e ngatërruar sa askush nuk e di si do i gjendet filli kësaj pune.

Në ndërkohë koha kalon. Ligji për prokurorinë publike debatohet në Kuvend. Opozita kritikon gjithë ditën ligjin që duhet të përforcojë institucionet që duhet ta ndjekin krimin. A do të ketë shumicë të nevojshme që ky ligj të sillet brenda 10 ditësh ende askush nuk e di. A do të ndikojë sjellja eventuale e këtij ligji në fitimin e datës për hapjen e negociatave për aderim në UE, sërish askush nuk e di. Fillojnë të përhapen fjalë se partitë djathtiste të përfaqësuara në Parlamentin e UE do të kundërshtojnë dhënien e datës për Maqedoninë e Veriut në mars me pretekstin se në këtë mënyrë UE ndërhyn në zgjedhjet që do të mbahen me 12 prill tek ne. Por nga ana tjetër, mosdhënia e kësaj date sipas kësaj logjike mund të trajtohet poashtu si ndërhyrje në zgjedhjet tona. E gjithë situata është aq e nderë dhe e pasigurtë, njësoj si pasiguria që brenda pak çastesh u krijua dje në City Mall kur pati një njoftim të rrejshëm për vendosje të bombës që rezultoi me evakuim të shpejtë të qytetarëve. Kam përshtypjen se është një përpjekje e madhe dhe mirë e organizuar për të krijuar një ndjenjë panike dhe pasigurie te sa më shumë qytetarë. Sepse panika, frika dhe terrori i bëjnë njerëzit të thyeshëm dhe të pasigurt e si rrjedhojë edhe të manipulueshëm.

E në ndërkohë pikërisht këto ditë përfundon edhe procesi i Brexit. Deri sa ne mundohemi të fitojmë një datë të thjeshtë për fillim të negociatave, britanezët vendosën të dalin nga UE. Përfundimi i këtij procesi pasi u pranua marrëveshja për daljen e Britanisë dje në Parlamentin Evropian kulminoi me këndimin në kor nga të gjithë deputetët të këngës tradicionale skoceze “Auld Lang Syne”. Kjo është një këngë lamtumire e shkruar nga poeti Robert Burns në 1788. Është këngë që këndohet kur i themi lamtumirë dikujt që ikën larg ose kur përshëndetemi me një të kaluar dhe shohim drejt një ndryshimi. Kështu kjo këngë këndohet gjatë ndërrimit të viteve ose gjatë ceremonive të përfundimit të studimeve. Por kjo këngë këndohet edhe në raste të funeraleve, si lamtumirë e fundit ndajt dikujt. Ishte emocionuese të shihet dje se si kjo këngë këndohej nga parlamentarë të cilët i thonin lamtumirë njëri tjetrit.

Me 1 Shkurt 2020 UE do të ketë një shtet më pak. Por po të njejtën ditë edhe Britania nuk do të jetë më ajo që ka qenë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button