Hoxhaj: Gjatë fundjavës hapet vendkalimi kufitar Bellanoc-Stanqiq

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se pika e re kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Stanqiq-Bellanoc do të lëshohet në përdorim gjatë kësaj fundjave,

Në publikimin në faqen e tij në Fejsbuk, Hoxhaj për meritat e hapjes së vendkalimit i falënderoi institucionet kompetente kosovare dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

“Pas shumë vitesh stërzgjatje e ngecje, jam i lumtur që pika e përbashkët kufitare Stanqiq-Bellanoc është gati dhe do të hapet këtë fundjavë për qytetarët. Faleminderit Komisionit Shtetëror të Kosovës për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit e institucioneve të tjera për bashkëpunimin dhe Qeverisë maqedonase, që për një vit falë vullnetit politik, ka përfunduar ky projekt, i cili për vite të tëra ishte i bllokuar”, ka shkruar Hoxhaj.

Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stanqiq, i cili i lidh rajonin e Kumanovës në Maqedoni të Veriut me rajonin e Gjilanit në Kosovë, ndërtohet me financa nga IPA programi i Bashkimit Evropian.

Iniciativa për hapjen e vendkalimit kufitar rrjedh nga viti 2011, ndërsa ndërtimi i tij ka filluar në qershor të vitit 2018, kur u vendos gur themeli nga ana e zëvendëskryeministrave të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Enver Hoxhaj dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

Banorët e rajonit të Kumanovës dhe të Gjilanit deri më tani janë ankuar për shkak të mosrealizimit të projektit, sepse, siç thonë, ishin të detyruar të udhëtojnë edhe nga njëqind kilometra përmes vendkalimit kufitar Bllacë, për të arritur deri tek vendet në anën tjetër të kufirit, të cilat përndryshe janë shumë afër njëra tjetrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button