“Deepwater Horizon”, gjobë rekord për BP

Kompania britanike e nxjerrjes së naftës, BP u gjobit me shumën rekord prej 4.5 miliard dollarë në lidhje me tragjedinë e vitit 2010 të Deepwater Horizon në Gjirin e Meksikës. 

Dy punonjës të kompanisë akuzohen për vrasje nga pakujdesia, ndërsa një ish-menaxher i kompanisë akuzohet për dëshmi të rreme në Kongresin amerikan.

Departamenti amerikan i drejtësisë tha se në shumën prej 4.5 miliard dollarë përfshihet edhe 1.26 miliard që do të shkojnë për rehabilitimin e faunës dhe florës në zonën e prekur nga ndotja.

Vetë kompania ka rënë dakort të paguajë gjobën dhe pjesë e marrëveshjes me autoritetet amerikane është edhe pranimi i 14 akuzave të tjera që lidhen po me rastin në fjalë.

BP kërkoi falje për rolin e luajtur dhe shprehu keqardhje për humbjet e jetëve. Ajo ra dakort të paguajë gjithashtu edhe 525 milion dollarë siguracione për një periudhë 3-vjeçare.

Shpërthimi në platformën naftënxjerrëse Deepwater Horizon, pronë e British Petroleum në Gjirin e Meksikës ndodhi më 20 prill të 2010-ës. 11 punonjës gjetën vdekjen e menjëherëshme, 16 të tjerë u plagosën ndërsa 99 shpëtuan pa marrë asnjë plagë. 

Flakët dëmtuan platformën duke shkaktuar fundosjen e saj. Shkatërrimi i saj coi në rrjedhjen e lirë të naftës nga puset e hapura në fund të oqeanit. U deshën më shumë se 3 muaj dhe miliarda dollarë dëme ekologjike që vendburimi naftënxjerrës që ndoti Gjirin e Meksikës duke prekur edhe zonat turistike në SHBA e Meksikë të izolohej. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button