Dialogu Zhan Mone do të ulë liderët në një darkë pune

Nëse projektligji për Prokurorinë Publike nuk i uli në të njëjtën tryezë, atëherë para shpërbërjes së Parlamentit, mbledhja e fundit e përbashkët e liderëve të partive parlamentare mund të jetë një darkë pune që do të organizohet në kuadër të dialogut Zhan Mone. Ky dialog është një instrument i zhvilluar nga Parlamenti Evropian si mjet në fushën e ndërmjetësimit parlamentar dhe mbështetje të demokracisë në BE, dhe në kuadër të këtij dialogu deri tani janë mbajtur dy seanca, transmeton Portalb.mk.

Dialogu i tretë është caktuar për 31 Janar (e premte) dhe më 1 shkurt (e shtunë), me fokus arritjen e konsensusit për Rregulloren e punës së Parlamentit. Pritet që atëherë në Shkup të arrijë raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për vendin, Ilhan Quçuk dhe eurodeputetë tjerë,  të cilët do të kenë takim me liderët e partive, e më pas të zhvillojë bisedime të përbashkëta me koordinatorët e grupeve parlamentare.

Edhe pse shumica e pikave kontestuese në Rregulloren e punës ishin harmonizuar, mënyra e zgjedhjes së Sekretarit të përgjithshëm të Parlamentit ishte i kontestuar nga opozita, e më së shumti harmonizimi me amendamentet e Kushtetutës, me të cilat Rregullorja duhet të bartë emrin e ri të shtetit – Rregulloren e punës së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ajo që është e rëndësishme dhe për të cilën ekziston konsensusi, është që me ndryshimet në Rregulloren e punës së Parlamentit të kufizohet kohëzgjatja e seancës konstituive të parlamentit, për të shmangur bllokimet e atij procesi siç kishte në vitin 2017, por edhe ngjarje të tilla si “enjtja e përgjakshme” (27 prill 2017).

Darka e liderëve

Debati i parë pritet në parlament të premten, e pastaj është paraparë darkë e përbashkët pune e eurodeputetëve me liderët e partive parlamentare: LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, PDSh, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Besa. Jozyrtarisht, pritet që gjatë darkës të trajto tre shtyllat mbi të cilat do të bazohen marrëdhëniet e ardhshme reciproke midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut.

Flamuri i Bashkimit Evropian - BE, Arbnora
Flamuri i Bashkimit Evropian – BE

Shtylla e parë ka të bëjë me metodologjinë e re të negociatave për anëtarësim që duhet të paraqitet nga Komisioni Evropian, e dyta ka të bëjë me vendimin për fillim të negociatave që liderët e BE pritet të shqyrtojnë para samitit të Zagrebit në maj, dhe e treta – samiti në Zagreb , që do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen në rajon.

Por mbi të gjitha, në darkën e punës pritet të adresohen tre prioritetet që vendi duhet t’i plotësojë para zgjedhjeve, përkatësisht deri në shpërbërjen e parlamentit. Ambasadori i BE-së në vend, Samuel Zhbogar, i cili do të marrë pjesë në darkë, i theksoi këto prioritete disa herë gjatë këtyre ditëve.

“Shpresoj që Parlamenti do t’i miratojë ligjet kryesore para se të shpërndahet në shkurt – Ligji i Prokurorit Publik, ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe shpresojmë që dialogu Zhan Mone do të kontribuojë në përmirësimin e Rregullores së punës së Parlamentit”, tha Zbogar.

Dialogu sjell rezultate

Ndonëse dialogu do të zhvillohet dhjetë ditë para shpërbërjes së Parlamentit, nga Parlamenti i Maqedonisë dhe Parlamenti Evropian besojnë se të gjitha pikat e kontestuese do të tejkalohen. Për rëndësinë e dialogut brenda procesit Zhan Mone dje foli edhe kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi në fjalën e tij në Samitin e kryetarëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor. Ai e ka diskutuar këtë çështje edhe me eurodeputetët Tanja Fajon dhe Vlladimir Bilçik, të cilët bashkë-kryesues të Grupit për mbështetje demokratike të Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëbiseduesit e shqyrtuan edhe dialogun Zhan Mone, si një formë tjetër bashkëpunimi që solli rezultate konkrete në ndërtimin e dialogut politik në Parlament, siç është miratimi i Kodit etik, duke identifikuar nevojën për ndryshime të Rregullores së punës për të shmangur situatat e bllokimit që kanë ndodhur në të kaluarën dhe vendosja e një kornize për pavarësi administrative, financiare dhe të sigurisë së Kuvendit”, u njoftua pas mbledhjes. Në pritje të dialogut të tretë, është shprehur angazhim i përbashkët për të vazhduar këtë mjet bashkëpunimi edhe pas zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button