“Mini-Trampi” dhe “Mini-Shengeni”

Richard Grenell jo rastësisht quhet si “Trump i vogël”. Fjalia e parë që Grenell shqiptoi në Prishtinë dhe Beograd ishte: “Unë ju sjellë përshëndetje nga Presidenti Trump.” Deshi t’ua bëjë me dije vendasve se nuk ka shumë pazare për kërkesat e tij. Fjalia e tij e dytë ishte – “Nuk dua të dëgjoj për argument të vjetra politike”.

Kush është Richard Grenell?

Për tetë vjet, ai ishte zëdhënës i misionit amerikan në OKB, ku me arrogance të skajshme komunikonte me reporterët, madje duke i fyer ata. Por gjuha e tij e mprehtë e me një mendje po ashtu të mprehtë i mundësoi që ai ta kryejë atë detyrë për tetë vjet. Pastaj u sëmur nga kanceri, por me edhe ate e mundi. Në fushatë, ai u bë një mbështetës dhe mik i fortë i Trumpit, i cili më pas e emëroi atë për ambasador në Gjermani. Por edhe atje ai nuk mundi ta lidhte gjuhën e tij, kështu që sulmoi dhe poshtëroi pamëshirshëm zyrtarët vendas (më së shumti nënkryetarin e Bundestag dhe ministrin e financave), të cilët madje kërkuan dëbimin e tij. Por forca e Trumpit bëri që edhe ata t’i përkulen arrogancës së tij.
Ditë më parë ai zbarkoi në Prishtinë dhe pa pyetur ndonjë, njoftoi linjën ajrore të drejtpërdrejtë Prishtinë-Beograd. Askush s’e hapi gojën, edhe pse ishin kundër saj. Edhe Haradinaj më i kundërshtuar u detyrua të mirëpresë një veprim të tillë! Thonë se as Vuçiqi, madje në nuance nuk i ishte kundërvënë!

Disa kohë më parë, Përfaqësuesi Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, u thirr në Senatin e SHBA për t’u marrë në pyetje lidhur me situatën aktuale në Kosovë. Ai tha se “atje do të kemi një qeveri pa ish luftëtarët për herë të parë” dhe ai e sheh atë si “nevojë e njerëzve për ndryshime dhe se kjo është gjë e mirë”. Ai gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë e këmbimit të territoreve” nëse ajo  menaxhohet mire, që të mos reflektohet në pjesë të tjera të rajonit të Ballkanit”.

Kurse Ballkani është destinacion tejet i preferuar i djallit, sepse këtu atë që nuk mund ta bëjë ai, ne  e bëjmë vetë. Këtu fjalët e këqija janë më të rëndësishme se veprat e mira. Mjafton t’i mbështjelli me ndonjë patriotizëm primitiv dhe ja luftë gladiatorësh ku e vërteta dhe normalja të parët vriten. Këtu një pikë urrejtje mund të helmojë një det tolerancë. Nuk mbeti asnjë mendje e madhe që nuk është goditur nga kjo çmenduri ballkanike, ku shumë veta veshin maska ​​për të fshehur se s’kanë fytyrë. Një çmenduri e tillë seriozisht ka shqetësuar qendrat e forta të politikës botërore, të cilët tani janë të detyruar të ndërmarrin gjithçka që është në fuqinë e tyre për të parandaluar detonimin ballkanik.

Gjermania me flamurin evropian provoi me gjitha fuqitë integrimin e brendshëm të Ballkanit Perëndimor (si mini-Shengen), por padyshim që rezistenca nga pushtetet e rajonit është shumë e fortë. Më në fund, amerikanët, zakonisht pas lodhjes së evropianëve, me shkopin dhe karotën vijnë t’i bindnin udhëheqësit ballkanik se karota është shumë më e mirë se shkopi. Atyre u thuhet se integrimi i tyre i ndërsjellë nuk është vetëm në favor të zhvillimit ekonomik, por edhe të shpëtimit të paqes.

Krijimi i një unioni ekonomik rajonal do të kishte efekte të shumta pozitive. Do të hapte një treg prej rreth njëzet milion njerëzve, i cili do të gjallëronte industrinë, tregtinë, bujqësinë, blegtorinë, turizmin, etj. Do t’i rriste shumë investimet e huaja. Mbi të gjitha, kombet do të qetësoheshin, e kështu edhe paqja e stabiliteti rajonal.

Thirrja në të kaluarën është stupide sepse nuk duhet më kaluar nëpër ato rrugë. Edhe anëtarët e UE-së kanë humbur dhjetëra miliona jetë në luftërat mes veti, por tani po bëjnë përparim së bashku. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion për pacifizmin dhe integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi nuk është aspak i lehtë. Shtetet perëndimore, vetëm disa vjet pas luftës, formuan tre organizata (për qymyr e çelik; për bashkësinë ekonomike; dhe për energjinë atomike) dhe filluan të integrohen. Kurse ne edhe pas 25 viteve pas luftërave, çdo ditë plagët e vjetra i gërvishtim për tu dukur të freskëta.

Amerikanët kanë emëruar udhëheqësin e fortë Matthew Palmer si të dërguarin special të SHBA për Ballkanin Perëndimor. E quajnë “Holbruk i shekullit 21”, që ka për detyrë t’i zgjidhi problemet e rajonit. “Palmer është një dhëndër serb”, pat thënë Ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç, por bëri shaka se nuk priste shumë nga ai por nga gruaja e tij. E kritikët thonë – dihet mirë se çfarë të bën dhëndri! Marrëveshja ekzistuese e tregtisë së lirë – CEFTA funksionon dobët. Kjo është arsyeja pse nevojitet një marrëveshje më efikase që disa e quajnë “Shengen i Vogël”. Por mund të ketë një problem se Serbia tashmë ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë dhe me Unionin Euroazian, dhe kjo mund të jetë një problem me jo-anëtarët e tjerë. Por nëse të dy traktatet harmonizohen, kjo mund të jetë një nxitje shtesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ka mendime se “Mini-Shengeni” do ta largonte rajonin nga UE! Nuk ka asnjë dilemë për të besuar se një bashkëpunim tillë i Ballkanit mund vetëm të përshpejtojë procesin e integrimit në UE, pasi këto vende do të rrisin konkurrencën jo vetëm brenda tregut të përbashkët, por edhe më gjerë, e cili është një kërkesë e tregut evropian.

Nëse “Mini-Shengen” realizohet, kjo do të zvogëlojë presionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar shpejt në UE. Brukseli është i gatshëm të paguajë para të mëdha vetëm për t’u vonuar pranimet e reja në dhjetë vitet e ardhshme. Fakt është që UE ka problemet e veta dhe shumica e qytetarëve të UE-së janë kundër pranimit të vendeve të varfëra në të ashtuquajturin klubin e tyre tani të përçarë. Gjithashtu, disa anëtarë insistojnë që së pari të bëhen reforma të brendshme brenda vetë UE-së, e më pas të zgjerohen me kritere të reja më të rrepta. Andaj, nuk duhet kundërshtuar nëse na ofrohet në të ardhmen një treg i përbashkët me UE-në pa anëtarësim, pasi që edhe Austria dhe Finlanda së pari u bashkuan në tregun e përbashkët e më pas u bënë anëtare.

Zgjidhja e problemeve në Ballkanin Perëndimor sapo ka filluar. Do të duhen vite për tu rregulluar. Negociatat me UE-në padyshim që do të marrin një kohë të gjatë, e deri atëherë ne duhet të shfrytëzojmë gjithçka që kemi në dispozicion. Kjo është shumë më fer sesa aktrimi i rremë i rajonit se bënë reforma, dhe aktrimi i rremë evropian se duan zgjerim.

Zgjerimi në Bruksel përjetohet si një këngë e mërzitshme, refreni i së cilës është “mos vdis gomar sa të del barë”. Do të ketë shumë punë këtu derisa “Trump i Vogël” të krijojë “Shengenin e Vogël”. Por, ky është shpëtimi ynë përpara se dikush këtu i fundit t’i shuajë dritat këtu, si dëshmitar se këtu paskemi jetuar dhe e paskemi lënë këtë vend të mallkuar! Perëndimi është duke marrë shtresën tonë më vitale të popullsisë si fuqi punëtore sepse ata dinë të integrohen më lehtë. Kurse këtu në një të ardhme jo aq të largët do të mund të popullzohen Afgan, Indian, Sirian, Eritreas. Ne sikur gjithmonë dimë se si ta humbasim atë që mund ta kemi këtu për atë që shpresojmë se do e arrijmë diku jashtë! E assesi të pushojmë tu japim përkrahje atyre që fitojnë lumturinë e vet duke shkelur mbi tonën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button