BE pret që VMRO-DPMNE të mbështesë ndryshimet në ligjin për prokurori publike

Ambasadori i BE-s; Samuel Zhbogar, gjatë debatit publik mbi ligjin për prokurori publike, i cili sot hyri në procedurë parlamentare, në Twitter-in e tij ka shkruar se pret mbështetje edhe nga opozita. Sipas tij, drafti i versionit që është në tryezë para deputetëve është bazë e mirë për vendim konsensual, njofton Portalb.mk.

“Ne e njohim rolin e domosdoshëm që e ka opozita në miratimin e disa ligjeve reformues në dy vitet e fundit. Presim të shohim të njëjtin demonstrim të përkushtimit ndaj së ardhmes evropiane sa i përket Ligjit për Prokurori publike”, ka shkruar Zhbogar në Twitter.

Thirrje për tejkalimin e interesave partiake dhe miratimin e ligjit ka bërë edhe ambasadorja amerikane në Maqedoni, Kejt Meri Bërns. Në një tryezë të rrumbullakët të kushtuar rrugës për në NATO, ajo theksoi se Maqedonia duhet të punojë më shumë në luftën kundër korrupsionit.

“Mendojmë se miratimi i Projektligjit për Prokurori Publike do të tregojë, në këtë moment kritik, përkushtimin e Maqedonisë për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, dhe kjo duhet të jetë mbi partitë politike. Lëndët e Prokurorisë speciale duhet të vazhdojnë, qytetarët janë duke pritur dhe meritojnë të shohin që ata të cilët abuzuan me besimin e publikut do të bartin përgjegjësi. Ata meritojnë të shohin se si drejtësia zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Rinia në Maqedoni meriton të ketë të ardhme”, deklaroi ambasadorja Burns.

Vërejtjet e VMRO-DPNE-së janë se me ligjin pushteti dëshiron që ta ringjallë Prokurorinë Speciale dhe sipas tyre, t’i mbrojë krimet nga radhët e tyre. Ata thonë se përkushtohen që ligji i cili do të miratohet të jetë joselektiv dhe përpara të cilit do të mund të përgjigjen të gjithë qytetarët.

Pas një sërë tentimesh të pasuksesshme për marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës, çështja e ligjit për Prokurorinë u aktualizua pas vizitës së eurokomesarit Oliver Varhejli në Shkup, i cili porositi që është mirë që të miratohet ligji përpara shpërndarjes së kuvendit, që do të ishte shenjë e mirë për vendet-anëtare të BE-së në kontest të miratimit të vendimit të shumëpritur për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE.

Ligjin për prokurori publike, me të cilin do të zgjidhet edhe problemi pas ndërprerjes së mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, si prioritet e ka përmendur edhe ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button