Pse nuk më pëlqeu shkrimi i Begajt, “Mirupafshim Shqipëri! Unë po iki!”

Ka disa ditë që është shpërndarë një shkrim i Silvana Begaj e cila u bë e njohur para disa kohësh për publikun shqiptar për shkrime të saj mbi projektin “Shqipëria Tjetër”, të cilat më pas filluan të shpërndahen në rrjetet sociale gjerësisht. Më vonë u ftua të fliste për këtë në studion e lajmeve në RTV Ora dhe shkrimi i saj ku ajo i jep lamtumirën vendit filloi të publikohej nga portalet më me ndikim dhe më të njohura në vend.

Kisha ditë që shkrimi më dilte përpara dhe e bëja scroll duke u munduar të qëndroj larg shkrimeve dhe lajmeve me nota negative. Sidomos duke qenë në një betejë vetjake midis “më duhet të informohem sepse jam gazetare” dhe “më duhet të ruaj qetësinë time shpirtërore”. Nga ana tjetër në këtë kohë dhe në këto kushte, ende me traumat e përballimit të tërmetit në Durrës (ku kam shtëpinë dhe rastisa të jem për arsye familjare) një seri dridhjesh relativisht të ndjeshme në Ankara dhe ku banoj, bombarduar me lajme pa fund të tërmetit në Elagzi dhe Malatya, kërcënimi i virusit të coronavirus dhe panikut që shpërndan lajmi në lidhje me të.

Mirëpo pasi pash një postim në profilin e Erion Kristos i cili kërkonte mendimin e audiencës në lidhje me shkrimin “Mirupafshim Shqipëri, unë po iki”, u bëra kurioze ta hap dhe ta lexoj.
Ka dy aspekte të rëndësishme, për mendimin tim, që duhen analizuar në këtë shkrim por edhe në qasjen e përgjithshme dhe nuancat që e karakterizojnë.

Së pari, në shkrim mbizotërojnë nota pesimizmi dhe negativiteti të cilat janë gjëja e fundit që i duhet rinisë e cila po përballet me shumë sfida dhe mund të shkaktojë probleme serioze të shëndetit mendor. Vetëm imagjinoni një bashkëmoshatar/e të autores i/e cili/a nuk i ka mundësitë të largohet se me çfarë krizash mund të përballet. Edhe nëse autorja nuk është prind vetë, të paktën si mësimdhënëse duhet të jetë e vetëdijshme dhe të tregojë solidaritet dhe ndjeshmëri ndaj mirëqenies mendore dhe shpirtërore të rinisë tonë.

Nuk dua të përsëris veten mbi atë që kam shprehur edhe me herët në një tjetër shkrim Harrojini tokat e premtuara, por premtohuni për tokën tuaj! mirëpo ajo që kanë nevojë sot bashkëmoshatarët tanë dhe brezat e rinj që po vijnë janë këshilla frymëzuese dhe shpresëdhënëse.

Nuk duhet absolutisht që të biem pre e një refreni të krijuar dhe të nxitur nga qarqe opozitare të cilët përfitojnë nga fatkeqësitë aktuale si dhe krizat vendase për të goditur sistemin, partinë dhe qeverinë aktuale. Ne jemi të vetëdijshëm se sot, jemi këtu ku jemi si rezultat i një “procesi tranzicioni” (sa term paradoksal për realitetin tonë) dhe i një loje të vazhdueshme “e ka kush e ka” me pasoja boomerang-u të drejtpërdrejta tek populli si gjithmonë.

Së dyti, rinisë shqiptare i shërbejnë rol modele njerëzish mendjehapur, të cilët promovojnë frymë pacifiste dhe jo gjuhë urrejtje karshi çfarëdo lloj gjinie, feje, race, etnie etj.

Aq më tepër që autorja e shkrimit, nëpër media është lavdëruar për përfshirjen e saj në aktivizmin human. Me sa duket prej 5 vitesh është Peacemaker, pjesëtare e “Dialog për Paqen”, një NGO ndërkombëtare e cila zhvillon dialog dhe ndërmjetëson me palët e përfshira në konflikte në zona të ndryshme të botës, sidomos në vende si Pakistani dhe Bangladeshi.

Nëse një aktiviste me një profil të tillë, në brendësi çështjes së politikave ndërkombëtare, çështjes së sigurisë dhe njohjes me kulturën islame nuk i falet që të përhapë gjuhë urrejtje. Në një paragraf të shkrimit të saj, autorja shprehet kështu: “Mirupafshim Shqipëri e Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.”

Në një paragraf të vetëm përballemi me kaq shumë gjuhë urrejtje sidomos e frymëzuar nga ideologjia racizmit Anti-Musliman, Turkofob dhe Serbofob. Xhamitë nuk janë import i Turqisë, as komuniteti që i frekuenton ato, kjo sepse disa xhamia datojnë edhe para Perandorisë Osmane, edhe pas komunizmit. Mirëpo meqenëse kjo nuk është fusha ime nuk dua të ndalem më gjatë në këtë pikë, por këshilloj që çdo kush i interesuar t’i drejtohet burimeve përkatëse.
Përndryshe nga realiteti evropian, muslimanët në Shqipëri janë autoktonë, gjëra që një politikane ose politikbërëse e ardhshme, edhe pse për momentin një asistente pedagoge në degën e Menaxhimit.

Të rinjtë shqiptarë kanë nevojë të kultivohen me frymë respekti ndaj diversiteti dhe ta pranojnë atë në çfarëdo lloj forme qoftë.

Ne si politikbërësit e ardhshëm, aktivistë, gazetarë apo mësimdhënës dhe edukatorë, nëse nuk dimë nga t’ja nisim, le ta nisim nga përqafimi dhe promovimi i diversitetit e cila së bashku me bashkëjetesën në forma të ndryshme mbetet një nga pasuritë më të mëdha të këtij vendi. Dhe shumë pasuri të tjera që na i ka falë Zoti, të cilat presin të promovohen…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button