“Gylenisti” i arrestuar në Kosovë, u dënua me mbi 8 vjet burgim në Turqi

Një gjykatë turke e ka dënuar me 8 vjet, 1 muaj e 15 ditë burgim “gylenistin” e arrestuar në Kosovë dhe të deportuar më pas në Turqi përmes një aksioni të ndërmarrë nga instutcionet e sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me ato turke, transmeton Koha.net raportimin e mediumit turk “sabah”.

Hasan Huseyin Gunakan ishte arrestuar në mars të vitit 2018 në Kosovë dhe ishte deportuar bashkë me 5 persona tjerë për në Turqi.

Si arsye e dënimit të tij është dhënë fakti se ai është pjesëtar i organizatës së klerikut Fethullah Gulen, FETO, organizatë të cilën shteti turk e konsideron terroriste.

Gjatë gjykimit të tij, Gunakan i kishte mohuar të gjitha akuzat e ngarkuara ndaj tij.

“Thuhet se unë jam sjellë (në Turqi) legalisht. Megjithatë, një komision hetues parlamentar i Kosovës nuk ka pranuar se ne jemi sjellë legalisht këtu. Nuk kam kurrfarë lidhjeje me akuzat. S’ka kurrfarë dëshmish konkrete ndaj meje. Dua të lirohem dhe të shpallem i pafajshëm”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Gjatë seancës dëgjimore, edhe avokati i të pandehurit i kishte mohuar akuzat për pjesëmarrje në organizatën në fjalë dhe kishte kërkuar lirimin dhe shpalljen të pafajshëm të klientit të tij.

Megjithatë, gjykata mori vendimin e saj dhe e dënoi Hasan Huseyin Gunakanin me 8 vjet, 1 muaj e 15 ditë burgim, pjesërisht për shkak të “anëtarësimit në organizatë të armatosur terroriste”.

Ai ishte akuzuar edhe për “spiunazh ndërkombëtar”, por gjykata e ka shfajësuar të pandehurin ndaj kësaj akuze.

Të pandehurit tjerë, të arrestuar në Kosovë e të dëbuar në Turqi, Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan, janë dënuar me nga 7 vjet e 6 muaj burgim. I pandehuri tjetër, Kahraman Demirez, u dënua me 8 vjet e 9 muaj burgim. Të pandehurit tjerë janë ende në proces gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button