fbpx

Gazetari manipulon kur shtrembëron qëllimshëm deklaratat

Burimi: KriThink 

Citatet shfrytëzohen në lajme për ta plotësuar dhe qartësuar atë, shfrytëzohen si dëshmi, të dhëna kyçe ose plotësuese, gjithmonë me qëllim të informimit të drejtë. Shtrembërimi i tyre, keqinterpretimi ose manipulimi me citatet nuk është aq i vështirë për t’u vërejtur sado kamuflazhë që t’i bëjë gazetari. I tillë është lami që recensojmë.

Lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Sela tash del kundër Blerim Rekës dhe Vetëvendosjes

Data dhe koha e publikimit: 21.01.2020

Data e recensionit: 26.01.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Me një titull “bombastik” dhe informacion, natyrisht, të papritur, autori i këtij lajmi tërheq menjëherë vëmendjen. Kush i ka ndjekur sadopak zhvillimet politike në vend, sidomos që nga zgjedhjet presidenciale në Maqedoni dhe këndej, e din që Aleanca për Shqiptarët dhe kreu i saj Ziadin Sela dhe Vetvendosje dhe kreu i saj Albin Kurti kanë qenë në bashkëpunim dhe mbështetje publike të platformave dhe politikave të njëra-tjetrën. Sela dhe partia e tij qëndruan pas garës së Blerim Rekës për President dhe pjesë e fushatës jo rrallë herë ishte edhe Kurti. Kur sheh titullin “Sela tash del kundër Blerim Rekës dhe Vetëvendosjes” ngjallet kureshtja se çfarë ka ndodhur. Deklarata e Selës është cituar e plotë dhe ajo, në fakt, është kështu:

 “…Unë personalisht kam përkrahur z.Kurti që të fiton zgjedhjet në emër të ndryshimit që duheshte të vijë atje. Më duhet të them që nuk jam përkrahës i idesë që z.Reka të merr mandat ministri në Kosovë. Sepse z.Reka bashkë me mua, bashkë me z.Gashi dhe z.Kasami kemi shumë punë për të bërë këtu. Z.Reka ka pasur ofertën time publike çdoherë sepse ai e pasuron skenën politike këtu në Maqedoni dhe ai duhet të jetë pjesë e procesit politik, i rëndësishëm këtu në Maqedoninë e Veriut dhe natyrisht duhet të jetë pjesë edhe e listave për deputet” – citon autori qëndrimin e Selës në tekstin që recensojmë.

Nga kjo që ai ka thënë, është shumë e qartë se Sela nuk ka dalë kundër Rekës. Qëndrimi i tij është se do të preferonte që Reka të jetë pjesë e politikës në vend, në krah të tre liderëve të përmendur. Natyrisht, në këtë rast, Sela ka mbrojtur interesat e tij politike por nuk ka dalë kundër Blerim Rekës dhe Vetvendosjes.

Teknikat e manipulimit

Autori ka tentuar të bëjë thirrje në emocionet e lexuesve duke pasur “prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim”, shkruan në Doracakun e Crithink-ut. Duke e prezantuar Selën sikur tani të jetë kundër Rekës dhe Vetëvendosjes, ai fton lexuesit ta gjykojnë në bazë të emocioneve dhe jo fakteve.

Për lexuesit

Shtrembërimet e qëllimshme të deklaratave, të informacioneve dhe të të dhënave për qëllime manipulimi janë të papranueshme. Ato i japin kahje tjetër informacionit nga objektivja dhe realja. Kjo i lë lexuesit të hutuar, të painformuar drejt dhe të papërcaktuar për atë që duhet të besojnë.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button