Ende ekzistojnë grupe si “Dhoma Publike” për të cilat publiku nuk ka njohuri

Grupi “Dhoma Publike” e aplikacionit celular të instant mesazheve “Telegram” e ka tronditur publikun këto ditë për shkak se në të janë shpërndarë foto të vajzave lakuriq, ndër të cilat pretendohet se ka edhe foto të vajzave të mitura. I gjithë skandali ngre një numër pyetjesh, përfshirë edhe çështjen përse është zgjedhur pikërisht aplikacioni i komunikimit “Telegram” për këtë qëllim, kush mund të krijojë grup të tillë, si dhe a ka ndonjë mënyrë për të kontrolluar grupe të tilla komprometuese dhe degraduese dhe a ka grupe të tjera të tilla për të cilat nuk dihet? Në lidhje me këtë biseduam me disa ekspertë në fushën e arsimit, teknologjisë informative dhe komunikimeve, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vanço Ordanoski, themelues dhe drejtor i kompanisë “Infoproekt”, thotë se aplikacioni “Telegram” nuk është zgjedhur rastësisht për këtë qëllim.

“Ky është një nga disa aplikacione që është i koduar nga fundi në fund, që do të thotë se është shumë e vështirë të depërtohet nga jashtë. Vetë zgjedhja e “Telegramit” nuk është zgjedhje e adoleshentëve. Ata zgjedhin “Instagram”, “Facebook” përkatësisht mesinxherin, të cilët janë më të lirë në aspekt të komunikimit. Përzgjedhja e “Telegramit” nuk është bërë në mënyrë naive, pasi përdoret për të shkëmbyer informacione të besueshme. Terroristët përdorin “Telegram”. Është i koduar, askush nuk e di se kush është përdoruesi. Agjencitë e zbatimit të ligjit nuk mund të përgjojnë”, thotë Ordanoski.

Sipas tij, i tërë, thënë kushtimisht, faji për ekzistencën e një grupi të tillë bie në administratorin e grupit sepse janë administratorët ata që mund të bëjnë veting të secilit anëtar të ri.

“Vetëm ai mund të ftojë anëtarë, të përjashtojë anëtarë, ta ndalojë ose ngjashëm. Grup me disa mijë anëtarë, siç është ky, shumë vështirë administrohet. Gjithë kjo që ndodh aty ka dalë jashtë çdo kontrolli. Shoqëria moderne nuk është e gatshme të kontrollojë dukuri të këtilla. Nuk kemi mënyrë për të luftuar kundër gjërave të këtilla. Ja shihni, “Fejsbuku” është përplot me lajme të rrejshme, “Tuiteri” gjithashtu. “Tuiteri” para disa kohe ka mbyllur 15.000 llogari të cilat kanë bërë propagandë. Njerëzit në botë kanë problem me kontrollimin e këtyre dukurive, jo vetëm ne si shtet. Kundër gjithë kësaj luftohet vetëm me ndërgjegjësimin e secilit individ. Ministria jonë e punëve të brendshme nuk mund të bëjë asgjë në veçanti, sa që mund të bëjë vetëdija jonë për atë, si të sillemi në Internet”, sqaron Ordanoski.

Ai thotë që në shkolla, asnjë qasje në Internet nuk është e filtruar dhe që absolutisht gjithçka është në dispozicion të fëmijëve.

“Supozojmë që në shtëpi prindërit kanë kontroll më të madh mbi atë që e shikojnë dhe ku kanë qasje fëmijët. Mirëpo, sot është e vështirë t’i kontrollosh fëmijët me telefon. Është fakt që fëmijët gjysmën e jetës e kalojnë në shtëpi, gjysmën në shkollë. Prandaj, është e domosdoshme që mësimdhënësve t’u sqarohet në mënyrë të popullarizuar, të edukohen për rreziqet dhe për gjithë gjërat që mund të jenë pasojë e sjelljes së caktuar në Internet. Edhe prindërit konsideroj që nuk janë mjaft të përgatitur. Kompanitë e mëdha për antivirus sikur “Kasperski”, “Avira”, kanë pako speciale për fëmijë, ku filtrohen përmbajtje të cilat nuk janë të përshtatshme për fëmijë. Fëmija nuk mund ta fikë atë, nuk mund të hap çfarë të dëshirojë. Shkollat në anën tjetër, duhet të ndërmarrin masa në bashkëpunim me internet-provajderët e regjistruar në Agjencinë për komunikime elektronike (AKE), për të zmadhuar kontrollin. Ministria për arsim dhe shkencë duhet të përcaktojë rregullat që duhet të respektohen, duhet të konsultohen ekspertë dhe të shqyrtohet se cila është mënyra më e mirë e parandalimit. Në fund, teknologjia nuk është fajtore, gjithçka varet nga ndërgjegjja e individit. Interneti është i pamëshirshëm, kurse unë jam i bindur që ka edhe dhjetëra grupe tjera të tilla për të cilat askush nuk di gjë”, përfundoi Ordanoski.

Darko Bulldioski, internet konsulent në “Nju Media” thotë që të rinjtë komunikojnë shumë shpesh në grupe të mbyllura, por nuk janë të vetëdijshëm që mund të keqpërdoren.

“Ka dy probleme themelore. Prindërit i lejojnë fëmijët të bëjnë gjithçka, pa e kuptuar se gjithçka mund të bëjnë si mirë ashtu edhe keq. Askush nuk u tregon që mund të ketë efekte negative. E dyta, sot ka problem për shkak se për ne të rriturit dhe për disa njerëz më të ri, privatësia nuk e ka të njëjtën domethënie. Koncepti i privatësisë është tërësisht ndryshe për të rinjtë dhe të rriturit. Të rinjtë komunikojnë shumë shpesh në grupe të mbyllura, mirëpo nuk janë të vetëdijshëm që mund të keqpërdoren. Nuk ka mënyrë për t’u kontrolluar kjo, për shkak se është problem i shoqërisë. Kjo përhapje e pornografisë me të mitur. Asnjë shërbim, përkatësisht asnjë njeri normal nuk do të aprovojë ose të lejojë pornografi fëmijërore. Shteti mund ta sanksionojë të gjejë mënyrë si t’i ndjek, mirëpo disi do ta ndalojë gjithë këtë dhe kjo është e vështirë për t’u realizuar. Prej nga të dimë që edhe në instagram nuk ka grup të këtillë të ngjashëm?”, pyet Bulldioski.

Prof. Dr. Kirill Barbareev nga Fakulteti për shkenca arsimore pranë universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, thotë që është i tronditur nga skandali me të miturit, fotografitë eksplicite të të cilëve janë ndarë në grupin “Telegram”.

“Dy periudha në jetë janë më seriozet, fëmijëria e hershme dhe adoleshenca. Pjesë e madhe e sfidave, problemeve, nervozeve dhe neurozave në familje janë pasojë e marrëdhënieve të çrregulluara shoqërore. Unë besoj që ne duhet nëpërmjet edukimit t’u japim model/shembull fëmijëve si ta kenë më mirë në jetë. Fëmijët këtë e kërkojnë nga ne. Nëse ata e shohin që ne e kemi atë mostër, do të dëshirojnë ta “marrin” nga ne. Nëse nuk e kemi, fëmijët do ta kërkojnë diku tjetër, ose do ta kërkojnë vetë”, paralajmëron profesori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button