Zhurma e tmerrshme e harresës

Të gjithë më thonë se kot i jep vetes aq siklet, se aq shumë brengosesh që kanë mbetur fare pak të rinj e tashmë nëpër fshatra nuk këndon gjel e nuk bie zilja nëpër shkollat fillore të cilat dikur u ngjanin zgjojeve të bletërve e tash kanë mbetur në pushtetin e zbrazëtisë shkretinore. Më thonë se mirë do ta bëjë zoti dhe se një ditë të gjithë do të kthehen si dallëndyshet që kthehen në çerdhet e veta në këtë dhè të munduar.

Më porosisin të kem durim se zoti një ditë çdo gjë do ta vendosë në vendin e vet dhe shtojnë se përsëri në këto anë do të jehojë kënga shqipe dhe do të dëgjohet ajo nga Tivari në Medvegjë, nga Presheva në Sarandë, nga Zhitosha në Korfuz e Kretë. Një ditë do të kthehen fëmijët të mbledhin lule nëpër peizazhet e De Radës e të Naimit, thonë. Të rinjtë do t’i shohim duke luajtur mbi pullazet e Gjirokastrës, do të mbushen qytetet me skulptura të atyre që brez pas brezi kanë qenë roje të fjalës shqipe në këto anë, shtojnë. Nuk mund të zbehen në kujtesë imazhet Lasgushit dhe muzikaliteti i vargut të Nolit, më thonë. Pastaj shtojnë se do të mbeten të kumbojnë vargjet e Tekiut e të Beqirit, do të ngrihen kullat letrare të Nehasit e të Salajdinit dhe, kuptohet, do të lënë gjurmë poezitë e Vjollcës dhe të Lulzimit. Kështu më thonë.

Kurse  mua s’më duket kështu. Më duket e kundërta. Shpejt do të mbeten pa asnjë fëmijë çerdhet, kopshtet, shkollat. Dhe, qemë a s’qemë nuk do të dihet. Sepse atë që s’kanë mundur ta bëjnë luftërat ndër shekuj, po e bëjnë politikat. Na i marrin fëmijët thuajse s’ka ndodhur asgjë. Ne duhet ta harrojmë këtë hata.

Unë e dëgjoj zhurmën e tmerrshme të harresës që na kanoset ta pllakosë këtë vend ashtu fare lehtë thuajse këtu nuk ka pasur kurrë zog shqiptari. Unë e di mirë se çfarë do të thotë harresa. I njoh kthetrat e saj. E di se i ka shkulur me rrënjë shumë atdhetarë, burra si lisa, duke u nisur nga Skënderbeu, Dervish Cara e deri te më të fundit, duke vendosur në kujtesë emra të huaj, madje edhe të tillë si Bregoviçi.

Madje-madje edhe Cecën e ka futur thonjtë në kujtesën tonë kolektive. I ka gëlltitur harresa edhe shumë rrasa varrezash me epitafe e epigrame, me emra të të lashtë sepse o vetë i kemi thyer o këmba e dora e huaj duke  na marrë kështu një thesar të vërtetë të leksikut, i mban nën pluhurin e harresës dramat e shpërnguljeve e dëbimeve masive të shqiptarëve, masakrat dhe spastrimet etnike që na i kanë bërë.

Dhe, kjo harresë është këtu. Midis nesh. E shoh se nuk le laps në dorë të kronikanit, e shoh si nuk lejon të emërtohet në gjuhën shqipe rrugët, sheshet… E ndjej se dy-tre breza pas nesh nuk do ta dinë kush kemi qenë dhe cilat janë sakrificat që kemi bërë. Dhe, nuk e di pse më thonë se do të bëhet mirë. Pse më thonë kështu, nuk e di. Ndoshta të ma freskojnë shpirtin që më digjet zjarrmia e ta kem më lehtë. Por ashtu nuk më qetësojnë dot, sepse mua vazhdimisht më mundon pyetja se si mund të vendosen themelet e një tempulli  ku mësohet krenaria dhe njerëzit i ruajnë legjendat e tyre pa emrat e këtyre burrave dhe pa emrin e Sevasti Qiriazit e të Petro Nini Luarasit? Më thonë se e kemi bërë kurorën që simbolizon rrumbullakimin e kombit tonë. Më thonë se ja ku është rruga e sukseseve që kemi arritur. Ku është ajo rrugë?

Dua ta shoh atë rrugë që paskemi kaluar për ta vendosur atë kurorë maje lisi. E shoh një rrugë të gjatë, mirëpo aty nuk ka shumë gjurmë që janë lënë, ndonëse e di mirë se aty kanë kaluar Mehmet Deralla, Sadudin Gjura, Murat Isaku. E di se kanë kaluar këta burra, po dihet se dikush ia fal humnerës së harresës gjurmët e tyre që të na lënë në një shkretëtirë kulturore. E nuk e kuptoj pse s’u ngrit një gjëmë njëherë për shkak se dhunshëm i fshiu gjurmët fryma e ligë. Ajo që të ka ndjekur  si gjah me qindra vjet e t’i e ke ulur kokën duke e dëgjuar ndjekësin si të thotë “ja ta ula bishtin”. E di unë se çdo fshat e ka pasur faltoren e vet, e ka pasur edhe kroin pranë saj, ndërkaq shtëpitë “të vogla fare” me tavane të bëra nga mjeshtrit gdhendës e artistë dibranë e me oxhakë të lartë. Kanë qenë.

Por edhe këto i ka marrë stuhia dhe rrëmuja e tërbuar e i ka fshirë nga faqja e dheut duke i dëbuar edhe nga kujtesa dhe duke i shfytyruar, pastaj edhe qytetet e fshatrat e fshatrat tona nga Molla e Kuqe deri në Kretën e largët. Pastaj ka krijuar  radhë të tëra të paskajshme e epike nga njerëzit e mbetur pa kulm mbi kokë që kërkonin ta shpëtojnë veten atje ku më së lehti humbet identiteti – në hapësirat e Anadollit. E si qenka mirë e si do të bëhet mirë?

Deri vonë ka pasur  ëndërrimtarë të cilët u kanë bërë ballë furtunave dhe i kanë mbajtur mbu supat e veta vlerat e trashëgimisë. Nuk e kanë pasur lehtë, kuptohet, po energjinë e kanë pasur të paparë dhe vazhdimisht e kanë evokuar aurorën mbi kurrizin e maleve të tyre të shenjta që të derdhë dritë mbi fshatrat e qytetet tona, ëndërrimtarë që gjithmonë e kanë  ruajtur zilen e shkollës me fanatizëm duke u krenuar kur tufa fëmijësh si flutura dilnin në oborr të shkollës e i jepnin kuptim jetës dhe e ngrinin shpresën se ky popull që humbi qindra mijëra njerëz pas Skënderbeut dhe me miliona pas themelimit të shteteve ballkanike, doemos do t’ia dalë e do të mbetet i qëndrueshëm në kalanë e quajtur gjuha shqipe. Ishin ata titanë që e ngrinin arsimin shqip në lartësinë e arsimit evropian. Ishin. Po sot ka shkolla, ka fakultete, por nuk shoh ëndërrimtarë.

Lufta bëhet për pushtet. Pushtet pa rini. Pushtet atdhezbrazur. Pushtet sa për të thënë. Dhe, pushtetarë pa shenjën e dritës në ballë, njerëz nuk janë të bijtë e Metidës. Janë nga marshi i mesatarëve që po rrallohet çrej ditës në ditë. Nuk janë këta ata të etshmit që e kërkojnë burimin e kthjelltë të fjalës së vërtetë, të fjalës së ëmbël që ka mbetur si amanet i gjyshërve tanë për ta shpjerë tutje drejt  amshimit.

Këta djem e vajza të etshëm për dituri e për atdhe na i mori Evropa. E thotë se na do. Na dashka ai që na i merr fëmijët…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button