E paqartë nëse do të ndodh koalicioni trepalësh Lëvizja BESA – Aleanca për Shqiptarët – Alternativa

Lëvizja BESA, sot kërkoi nga Aleanca për Shqiptarët që të deklarohet në lidhje me epilogun e iniciativës për koalicionim trepalësh, në të cilin do të përfshihej edhe partia Alternativa, e cila publikisht ka refuzuar një koalicion të tillë, njofton Portalb.mk.

“Kaloj thuajse një muaj që Lëvizja BESA me vendim të kryesisë qendrore pranoj ofertën e Aleancës për Shqiptarët për një koalicion trepalësh si dhe tentimeve nga Lëvizja BESA për një takim trepalësh, ndërsa edhe përkundër gjitha përpjekjeve dhe ndërmjetësimeve nga miq tonë të përbashkët me ASH-në, kjo nismë nuk mori një epilog, prandaj sot publikisht kërkojmë që Aleanca për Shqiptarët t’i përgjigjet opinionit publik se çka ndodhi me bashkëpunimin tre palësh? A ka dështuar ky proces ose jo, pasi që ne, por edhe gjithë opinioni publik duhet ta di të vërtetën dhe këtë përgjigje duhet ta japë Aleanca për Shqiptarët si iniciatorë e një bashkëpunimi trepalësh”, tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha.

Nga ASH-ja nuk kanë dhënë përgjigje precize, por vetëm kanë thënë se po punojnë në atë drejtim.

“Duke u nisur nga parimi se bashkimi bën fuqi Aleanca për Shqiptarët deri në moment të fundit po bën përpjekje që të jetësojë koalicionin premtues për fitore. Padyshim se do të ketë koalicion i cili do të sjellë ndryshimin e dëshiruar. Për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë në mënyrë edhe më intensive takimet me të vetmin qëllim fuqizimin e votës shqiptare. Ne besojmë shumë se qëllimi kryesor i opozitës shqiptare është ky, prandaj edhe besojmë se kur qëllimet janë të njëjta problemet tejkalohen më lehtë. Si subjekt politik edhe njëherë theksojmë se prioritet janë qytetarët, dhe ndryshimi për të cilin janë të etur ata, ndryshim ky që do ta sjellim të gjithë bashkë”, thonë nga ASH.

Zeqirja Ibrahimi nga partia Alternativa, më 8 janar një deklaratë për Portalb.mk, i hedh poshtë shkrimet nëpër media se kanë arritur marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

“Ne s’kemi biseduar as nuk kemi çfarë të bisedojmë, Lëvizja BESA jemi ne, ata vetëm vulat na i kanë marrë dhe në këtë rast nuk mund të flasim me vetveten. Spekulime janë informatat për koalicion të tillë. Me Aleancën për Shqiptarët mundësia është e hapur”, thotë Ibrahimi.

Ndërkohë, BDI ka deklaruar tashmë se nuk do të futet në koalicion parazgjedhor me asnjë parti, derisa PDSH është e hapur për koalicion nëse kryetari i saj, Menduh Thaçi bëhet zv/kryeministër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button