KULTURA SI ARMË: CIVILIZACIONIZMI (I)

”Europa po sulmohet nga profetët e rrejshëm të dehur nga urrejtja, të pushtuar nga kllapia për të qenë në qendër të vëmendjes.”

Kjo është një fjali nga manifesti 662 fjalësh “Fight for Europe or the wreckers will destroy it” (Lufto për Europën se të këqinjtë do ta shkatërrojnë atë), nënshkruar në janar të vitit 2019 nga 30 intelektualët më të mëdhenj europianë, përfshirë Bernard-Henri Levy, Milan Kundera, Claudio Magris, Orhan Pamuk, e të tjerë, publikuar në britaniken The Guardian, ku ata denoncojnë populizmin në rritje, nacionalizmin e furishëm, ku pohojnë se “fryma” dhe “identiteti” zakonisht ekzistojnë vetëm në imagjinatën e demagogëve, se absolutizmi etnik, raciologjistët (Williams, 2013: 31) dhe identarianët fundamentalë po e rrezikojnë multikulturalizmin, trashëgiminë e Erasmusit, Dantes, Goethes dhe Comeniusit.

Tema e këtij artikulli,  që pak a shumë u shpalos në paragrafin e mësipërm, lindi nga përkthimi i një vepre që e përfunduam para disa ditësh. Siç dihet, përkthyesi gjatë aktit të komunikimit me tekstin në gjuhën tjetër shpesh has në gjëra me të cilat s’është përballur më parë, që e nxisin të hulumtojë, të shkojë më tej, të thellohet e të mësojë shumëçka nga thesari i kapitalit intelektual human. E tillë ishte edhe përvoja jonë me librin Kultura dhe civilizimi ku përmendej një term interesant, civilizacionizmi, që ndërlidhet tërthorazi me qytetërimin, por që ka një kuptim shumë më të gjerë, më të ndryshëm nga qytetërimi në kuptimin negativ, kuptim ky që është rrjedhim i artit të interpretimit apo ekzegjezës sociologjike e politologjike të rrjedhave sociale në shoqërinë moderne. Është një term i ri apo neologjizëm, historia e të cilit nu shkon përtej 2007 apo më së largu 1992-93 (Cohen, 2019), që shenjon shfrytëzimin e kulturës nga ana e politikanëve dhe intelektualëve populistë për të forcuar kursin e  tyre politik dhe shkollar, për t’i dhënë mprehtësi dhe peshë ligjëratës së tyre, për të alarmuar opinionin kundër rrezikut dhe tjetrit real dhe më shpesh “imagjinar”. Jake Palmer nga “National Endowment for Democracy” këtë nocion e me shprehjen “weaponizing culture” që mund të përkthehet si “armëzim i kulturës” apo shfrytëzim i kulturës si armë, si vegël për qëllime anësore destruktive, kur “themelet shpirtërore dhe morale të qytetërimit ftohen për të mbrojtur kauzën”. Civilizacionizmi është një taktikë diskursive që si term ka bërë nam me Rogers Brubaker (2017), që ka gjetur fijen që lidh organikisht partitë populiste përgjatë Europës Veriore dhe Perëndimore: krishterimi, shekullarizmi dhe liberalizmi në kombinim, si rezistencë qytetërimore kundër Orientit dhe orientalëve. Ai civilizacionizmin e përkufizon si një predikim që thekson kërcënimin përballë të cilit gjendet qytetërimi kristian dhe europian nga imigrantët, nga popullata e huaj, në veçanti nga ajo myslimane. Pra dimensioni i parë i civilizacionizmit është antiislamizmi. Sipas tij bëhet fjalë për kalimin nga nacionalizmi te konteksti ideologjik i emërtuar si civilizacionizëm që shtytet nga ideja për rrezikun qytetërimor që vjen nga islami. Kjo frymë ka shkaktuar rritjen e një “kristianizmi identarian”, të populizmave nacionalë, të ksenofobisë, të bardhësisë metodologjike, të racizmit antizezak (Howel, 2019), të islamofobisë etj.

Ky diskurs e zhvendos debatin publik nga çështjet politike tradicionale si BPV, harxhimet qeveritare ose tregtia, kriza ekonomike, në një temë tjetër, duke i bërë më të dukshme dhe më agresive qarqet populiste, puritane dhe shoveniste. Shembull tipik janë partitë ekstremiste të së djathtës, nazi-nostalgjikët, eksentrikët e uritur për pushtet, revizionistët e historisë, teoricienët e konspiracionit (Pipes, 2018), faktorë këta që janë shndërruar në forcë signifikante “tradicionaliste dhe defensive” në më se njëzet shtete dhe që ngrejnë alarmin “nëse Perëndimi do të mbijetojë në formën e vet historike.” Këtë vijë ndjek Partia e Lirisë e Gert Wildersit në Holandë, “Alternativa për Gjermaninë”, “Lega Norde” në Itali, Vlaams Belang (Interesi Flaman) në Belgkikë,  “Fronti Nacional” në Francë, “Demokratët Suedezë” që duan ta reinstalojnë kishën shtetërore, Partia Popullore në Danimarkë, Partia e Progresit në Norvegji, “Finlandezët e Vërtetë” në Finlandë, Aleanca Qytetare Hungareze – Fidesz e Orbanit në Hungari, “Agimi i Artë” në Greqi, “One Nation” e Pauline Hansonit në Australi e të ngjashme. Trendin civilizacionist e ndjek edhe Putini që mëton legjitimizimin e politikave autoritare të Kremlinit. I njëjti, duke e veshur nacionalizmin e shekullit XX me  rrobat e shekullit XXI, me zotësi shfrytëzon një fenomen ideologjik të vjetër si shteti-komb për të lundruar në epokën pasmoderne, duke promovuar një ekspansionizëm që sillet nga Krimeja deri në Mal të Zi. Ai okupimin e Krimesë e ka “racionalizuar” me pretendimin se “rusët e izoluar” janë të kërcënuar nga Ukraina që po uesternizohet”, arsyetim ky i ngjashëm me atë të Reichut III (Hitlerit) i cili si arsyetim për okupimin e Çekosllovakisë e paraqiste “gjendjen e vështirë të minoriteteve gjermane në Sudentenland.” Konstruksioni i civilizacionizmit është i ngjashëm me populizmin e dikursëm djathtist që bazohej në antisemitizmin dhe hebrenjtë si armiq të brendshëm, që sot janë zëvendësuar me islamofobinë dhe myslimanët.  (Laušević, 2017) (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button