Flamuri kombëtar në çdo ballkon të shqiptarit, edhe në Itali

Gazeta e njohur e shqiptarëve në Itali “Shqiptari i Italisë” ka apeluar që të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali, më 28 Nëntor të ngrenë të gjithë flamurin kuq e zi nëpër ballkonet e shtëpive të tyre. Ja se çfarë thotë apeli i gazetë:

Si mund të interpretohet një flamur shqiptar i ngritur në një ballkon përtej kufijve të vendit? Simbol nacionalist, apo thjesht kujtesë historike? ‘Dashuri e pakufishme’ do të përgjigjej një i moshuar. ‘Metaforë identiteti’ një i ri.

Për vite me radhë në Parma, dhe në qytete të tjera të Italisë, flamur kuq e zi ngrihet në të gjitha ato raste të bukura në të cilat ndërthuret krenaria kombëtare me dëshirën për t’i treguar botës që ne kemi një histori, një tokë me djepe dhe me këngë, një identitet të lashtë dhe dinjitoz. Do të ngrihet edhe më 28 nëntor në nder të 100 vjetorit të Pavarësisë, nga të gjithë anëtarët e shoqatës Scanderbeg e mbështetësit e nismës.

Jemi gjysmë milioni në Itali, do të ishte bukur sikur këtë vit një gjë të tillë ta bënim të gjithë shqiptarët nga Sicilia në Alpe, të paktën në një ditë, më 28 nëntor. Në çdo ballkon një flamur, emocionet të dërgojnë tutje, në atë flamur që para 100 vjetësh një burrë i hijshëm me mjekër të bardhë i dha sfondin e lirisë një shteti që po lindte. Ne mundohemi t’i japin sot sfondin brezave të mos harrojnë Shqipërinë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button