Molliqaj e quan lidhjen VV-LDK si koalicioni i rançit të Prapashticës

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj përpjekjet e VV-së dhe LDK-së për të arritur marrëveshjen e ka quajtur si Koalicioni i rançit të Prapashticës, raporton Gazeta Express.

Ky reagim i Molliqajt vjen pasi është raportuar se dy liderët Kurti e Mustafa kanë zhvilluar një takim të fshehtë mbrëmë në shtëpinë e këtij të fundit në fshatin Prapashticë të Prishtinës, transmeton Gazeta Express.

Molliqaj përmes Facebook-ut ka krahasuar takimin që është raportuar se ka ndodhur mbrëmë në fshatin Prapashticë mes VV-së dhe LDK-së sikur takimet e PAN-it që realizoheshin fshehurazi në shtëpinë luksoze të Behgjet Pacollit në Hajvali.

“Dikur PAN-i takohej fshehtazi nëpër kafe e shtëpi luksoze në Hajvali për të ndarë kulaçin e pushtetit në emër të së “mirës së popullit”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka akuzuar VV-në se nga një parti e majtë transparente është shndërruar në parti që zhvillon takime fshehurazi.

“Sot, VV e LDK, pasi dështuan që të formojnë qeverinë duke u takuar nëpër zyret e institucioneve, iu rikthyen metodës së vjetër të takimit nëpër lagje periferike të Prishtinës ku gjinden rançet luksoze të pushtetarëve të djeshëm. VV-së, që në dukje të parë shihet si parti e majtë e transparente, iu shpërfaq fytyra e vërtetë e zhytur në terrin e Prapashticës”, ka shkruar ish-deputeti i PSD-së.

Molliqaj tutje ka shkruar se Koalicioni i Shpresës tani është shndërruar në ndarje të kulaçit.

“Këto janë shenjat e para të popullizmit në ardhje. Çka mund të jetë dukur në fillim si kthim i shpresës e qeverisje progresive u kthye brenda 3 muajve në stagnim institucional për hir të kulaçit të pushtetit. Këta hapur kritikuan elitat politike të korruptuara dhe u munduan që t’i delegjitimojnë vetëm që në fund të shndërrohen në po të njëjtit që ishin në pushtet”, është shprehur Molliqaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button