Eshtrat e mbretit Zog pas 51 vjetësh kthehen në Shqipëri

Eshtrat e mbretit Zog I, i cili vdiq në mërgim në Francë në vitin 1961, u zhvarrosën të mërkurën, më 14 nëntor, në varrezat parisiene të Thiais, për t’i rikthyer në Shqipëri. Gjatë ceremonisë që zgjati një gjysmë ore, të organizuar nga Ambasada shqiptare në Paris, Zogut I iu bënë homazhet ushtarake.

Përpara njëqind personave të pranishëm në ceremoni, ministria e Integrimit, Majlinda Bregu e cilësoi Zogun I si “një nga figurat më të shquara” të vendit, “i cili themeloi një shtet të vërtetë shqiptar”.

Ish- sekretari i Shtetit francez për Çështjet Europiane, Renaud Muselier, kushëri i familjes mbretërore shqiptare, e cilësoi Zogun I “një njeri të madh, një monark, një vizionar” ndërsa qendronte përballë arkivolit të mbretit të mbuluar me flamurin shqiptar.

Eshtrat e Zogut I do të ekspozohen në Tiranë sot, ditën e enjte, përpara se të dërgohen në mausoleum e familjes mbretërore, që është ndërtuar posaçërisht me këtë rast. Zog I do të prehet përbri së shoqes, konteshës hungareze, Xheraldina Aponij.

Sjellja e eshtrave të Zogut I në atdhe, është një nisëm e ndërmarrë nga qeveria shqiptare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button