Asnjë kompani nga Tetova s’ka marrë subvencione për filtër në oxhak sepse nuk mund të dëshmojnë se ndot

Në shtator të vitit të kaluar Qeveria, përmes Ministrisë për mjedis jetësor, njoftoi se do të subvenciononte plotësisht instalimin e filtrave të oxhakut në 30 ndërmarrje të vogla dhe të mesme për përpunim të drurit në Tetovë.

Kjo u paralajmërua si masë për të zvogëluar ndotjen e ajrit, pasi këto kompani, veçanërisht në dimër shpesh materialet e mbetura për prodhim të mobileve i përdorin për ngrohje. Por disa muaj pas fillimit të aksionit, nga ministria thonë që asnjë firmë nuk ka marrë fonde për filtra sepse nuk i kanë plotësuar kërkesat e konkursit, transmeton SDK.mk.

” Në rajonin e Pollogut ka rreth tridhjetë kompani që mbeturinat nga procesi i prodhimit i përdorin për ngrohje. Kjo është arsyeja për të cilën, vitin e kaluar, e pranuam iniciativën e shoqatës “Ekoguerila” nga Tetova për të subvencionuar instalimin e filtrave në oxhaqet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por kjo nuk pat jehonë. Të gjithë që aplikuan për fonde nuk i kanë plotësuar kushtet. Ne kemi bërë thirrje aktive që kjo mundësi të shfrytëzuar, afatin e zgjatëm disa herë, por pa sukses. Do të vazhdojmë me përpjekjet që këto kompani të marrin filtra, por do të duhet të aplikojmë mekanizëm të ri. Për këtë vit planifikojmë që kjo masë të vlejë për të gjitha kompanitë e vogla dhe të mesme”, tha Zëvendës Ministri i mjedisit jetësor Jani Makraduli në një tribunë në Tetovë.

Në anën tjetër, “Ekogerila” thotë se problemi nuk është me kompanitë që kanë shfaqur interes për të përdorur subvencionet, por me kushtet e përcaktuara në konkurs.

“Shumë kompani nga Tetova aplikuan në shpalljen e Qeverisë, ndërsa ne iu ndihmuam në përgatitjen e dokumentacionit, por kriteret ishin përcaktuar në mënyrë që asnjë kompani nuk mundi të sigurojë fonde. Arsyeja kryesore për këtë ishte kriteri që kompanitë të paraqisnin dokument me të cilin vërtetohet se ata janë ndotës të ajrit. Absurdi qëndron në faktin së në vendin tonë nuk ka asnjë institucion apo kompani që mund të lëshojë dokument të tillë. Prandaj, ne kërkuam që kjo iniciativë të vazhdojë edhe këtë vit, por duke i ndryshuar kriteret. Nëse hiqet ky kriter, atëherë shumë firma dhe kompani do të kenë mundësi të mira për t’i marrë paratë, të vendosin filtra dhe kështu, të paktën deri në një masë, të zbutet gjendja me ajrin edhe ashtu jashtëzakonisht të ndotur në Tetovë”, thotë Arianit Xhaferi nga “Ekoguerila “.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button