Fytyra e kandidatit politik nga pllakati në rrugë

Çarls Bukovski – poeti dhe romancieri i shquar i rrymës underground, autori rebel e antikonformist me ndikim të jashtëzakonshëm në letërsinë amerikane e botërore, njëri ndër krijuesit e veprave më autobiografike, ndoshta dhe më i lexuari dhe i përkthyeri në gjuhë të ndryshme, shkroi poezinë (të përkthyer nga Fadil Bajraj) me titullin, të cilin e huazova për shkrimin e sotëm.

Le ta shijojmë bashkë:

Fytyra e kandidatit politik nga pllakati në rrugë

shikojeni:
pa shumë mahmurllëk
pa përleshje të shumta me gra
pa shumë goma të rrahura
në vetvrasje as që i shkon mendja

jo më shumë se tri dhembje dhëmbi
kurrë s’ka lënë mangut asnjë racion të ushqimit
kurrë në burg
kurrë i dashuruar

7 palë këpucë
djali në kolexh
makina mezi një vjet e vjetër
garancitë e sigurimit të ndërmarrjes aksionare

barishtore goxha të gjelbër
kontenjerët me kapak të rregullt
do të zgjidhet.

Kjo qe gjëja e parë që m’u kujtua kur u ula ta shkruaj kolumnën që jeni duke e lexuar, e që për temë ka zgjedhjet përherë të parakohshme parlamentare; zgjedhjet, të cilat, dhashtë Zoti, do të rezultojnë me zgjidhjen e problemeve që na mbajnë peng shpresash utopike me kohëzgjatje jete.

Prandaj, them se është koha për zgjidhjen e nyjeve gordiane, jo për zgjedhje të kushtueshme çdo të dytin vjet, që e varfërojnë kot këtë vend çudirash, i cili  shterret dita-ditës prej rinisë dhe profesionistëve të sferave më të rëndësishme të jetës.

Është koha, që, në vend të politikave të mëdha, për të cilat as na pyet kush as kemi kaçik të merremi, t’u kushtohet vëmendje problemeve reale që e kanë bërë jetën të padurueshme, problemeve të cilat duhet t’i zgjidhin të zgjedhurit që dallojnë prej heroit të poezisë së mësipërme, ata që kanë programe serioze dhe të besueshme për:

  • bërjen e shkretishtes vend ku sundon e drejta;
  • shkuljen me rrënjë të oktapodit të hajdutërisë;
  • sekuestrimin e milionave dhe pronave të fituara me afera korruptive;
  • lirimin nga burgjet të njerëzve të pafajshëm dhe mbushja e tyre me bosë të mirëfilltë krimesh;
  • uljen e papunësisë ekstreme dhe rritjen serioze të pagave;
  • ndaljen e shpërnguljes masive të të rinjëve pa të cilët nuk ka të ardhme;
  • ndaljen e braktisjes së vendit nga truri – mjekët, inxhinierët, nformatikanët, profesorët…;
  • ndaljen e ikjes nga vendi të zejtarëve, ndërtimtarëve, bujqve e blegtorëve, që lënë djerrina tokat dhe fermat e tyre në kërkim të ekzistencës në tokat dhe fermat e të tjerëve;
  • mbrojtjen e ambientit jetësor nga ndotësit që shumëfishojnë numrin e të sëmurëve me kancer;
  • mbrojtjen e lumenjve prej atyre që i shndërrojnë në përroska…;
  • mbrojtjen e pyjeve nga xhahilët, që vijnë e shëmtojnë përgjithmonshëm natyrën tonë të bukur;
  • ndaljen e fshatarëzimit të qyteteve me ndërtime kaotike, me infrastrukturë mjerane, me parkingje, parqe e hapësira të gjelbra inekzistente…;
  • ndërtimin e shkollave, spitaleve, azileve për pleq…;
  • stimulimin me lehtësime konkrete të jetës nëpër viset rurale;
  • hapjen e qendrave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale, që do të blihen me çmime stimuluese për prodhuesit, sepse për aq kohë sa, bie fjala, blegtori e shet një litër qumësht për 20 denar, kurse matrapazi një filxhan me 2 decilitra çaj 50 denarë; për aq kojë sa bujku shet 10 kg patate, qepë, speca, domate…, aq sa kushtojnë 2 gota çaji të matrapazit që nuk jep as llogari fiskale, do të ikin të gjithë nga shretishtja, ku djersën dhe mundin e tyre e hanë rrugaçët…

Lista e gjërave që duhet të bëjnë fytyrat pllakateve në rrugë (respekt përjashtimeve!, sepse besoj, jo të gjithë ia kanë shitur shpirtin dreqit) është shumë më e gjatë se kaq, por, meqë është fjala për gjëra për të cilat nuk e pyet kush rajën, ne mund vetëm të shprehim mendimet tona në Hyde Park-un tagër-rëndë të shkretishtes, duke shterrur më kot zërin kundër diktaturës “demokratike” dhe ideatorëve të saj, të cilët qe 30 vjet na trajtojnë si turma të retarduara, si mjeranë që janë pajtuar të jetojnë qençe nën hijen e padronëve pa atme fe, për të cilët Gjeniu i turmave (kështu e quajnë Bukovskin ata që s’janë të denjë as për të qenë sholle këpucësh) thoshte: Ruhuni nga ata që janë në kërkim konstant të turmave sepse ata vetëm filli nuk janë asgjë.

Le ta mbyllim me copëzat e letrës së Bukovskit dërguar një miku, ku sqaron shkaqet e vërteta të mjerimit njerëzor:

  • Skllavëria nuk u shfuqizua kurrë, vetëm u zgjerua që të përfshinte të gjitha ngjyrat.
  • Skllevërit kurrë nuk paguhen mjaftueshëm sa të çlirohen, por aq sa është e nevojshme që të mbijetojnë dhe të rikthehen në punë.
  • Është i dhimbshëm dehumanizimi i njerëzve në përpjekje për të ruajtur vendin e punës, sepse… e di, është tjetri gati. Ata kthehen në trupa të mbushur me frikë. Sytë e tyre e humbasin shkëlqimin dhe ata thjesht shëmtohen, tërësisht.
  • Si i ri nuk e besoja se njerëzit do të bënin kompromise të tilla. Edhe si i moshuar ende nuk e besoj. Pse duhet t’i bëjnë? Për të paguar faturat apo për fëmijët? Për të njëjtët fëmijë që kur të rriten do të bëjnë të njëjtën gjë.

Zgjedhje të mbara, të dashurit e mi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button