“Paketa antishpifje”, shumica rrëzoi dekretet e Metës

Në Shqipëri shumica është e vendosur që të miratojë sërish pa ndryshime të ashtuquajturën “paketë anti shpifje”, duke rrëzuar dekretet e presidentit Ilir Meta. Në Komisionin parlamentar të Medias, mbrojtën e variantin e miratuar në dhjetor, pavarësisht kërkesave nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare për t’i bërë përmirësime paketës ligjore. Për Zërin e Amerikës, Komiteti i Monitorimit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, sqaroi arsyet se përse ju drejtua Komisionit të Venecias.

Shumica i qëndroi besnike pozicionit të saj për të mos e prekur “paketën antishpifje”, ndërsa diskutoi mbi dekretet e presidentit Ilir Meta për kthimin pas të të dy ligjeve përbërëse të saj. Në arsyetimet e kreut të shtetit, siç theksoi dhe këshilltari i tij jurisik Bledar Dervishaj, ngrihen shqetësime të forta lidhur me kushtetuetshmërinë e ndryshimeve, përputhjen e tyre me konventat ndërkombëtare dhe parimet e lirisë së shprehjes.

Si OSBE-ja, përmes përfaqësuesit të saj për Lirinë e Medias Harlem Desir, ashtu dhe Komisioni europian, janë shprehur për nevojën e përmirësimeve të paketës që prek mediat online, dhe kërkuan që diskutimi për dekretet e presidentit Meta të shihej si një mundësi për t’i bërë këto përmirësime.

Por shumica shprehet e gatshme të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare vetëm pasi t’i miratojë ndërhyrjet e saj, e kryesisht për aktet nënligjor, sic u shpreh sot në komisionin e Medias ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj: “Do të jetë pikërisht bashkëpunimi me OSBE-në dhe Këshillin e Europës, por pa dyshim edhe duke patur parasysh nëse Komisioni i Venecias do të nxjerrë një opinion, me qëllim që t’i përmirësojmë apo t’I kemi të qarta edhe zbatimin e ligjit përmes akteve nënligjore”

Por për këshilltarin juridik të presidentit, “më mirë të pritet dhe ai Opinion dhe të bëhet një draft ligjor i shëndoëshë, njësoj si me ligjin e pronave, për rregullimin e proceseve tranzitore. E ka marrë parlamenti më 14 Tetor atë Opinion. E ka bërë ligjin? Jo”

Komisionit të Venecias i është kërkuar të vihet në lëvizje për “paketën antishpifje”, nga Komiteti i monitorimit të Asambalesë parlamentare të Këshillit të Europës. Në një sqarim për Zërin e Amerikës, Komiteti theksoi se ju drejtua Komisionit të Venecias “duke vërejtur shumë çështje dhe kritika që janë ngritur në lidhje me projektligjin, si dhe duke marrë parasysh mungesën e përgjithshme të konsultimeve kuptimplote me aktorët kryesorë kur u hartua ligji.Mendimi i Komisionit të Venecias do të ndihmonte Komitetin dhe raportuesit me vlerësimin e tyre për ligjin dhe formulimin e rekomandimeve të mundshme”, theksoi një zyrtar i lartë i Komitetit të Monitorimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button