Të gjitha autoritetet deklarohen jo kompetente për biletën e kombinuar të transportit publik

Askush nuk është kompetent për të vënë në funksion biletën e kombinuar të transportit publik për qytetarët që udhëtojnë në Shkup nga qytetet tjera çdo ditë.

Diçka që është një praktikë normale për çdo vend të zhvilluar, në vendin tonë vite me radhë nuk mund të vihet në funksion, pavarësisht se qytetarët e Velesit, Kumanovës dhe Tetovës rregullisht e kërkojnë këtë. Bileta e kombinuar do t’u mundësojë këtyre qytetarëve që të ndajnë një herë në muaj një shumë, me të cilën do të mund të udhëtojnë me tren ose autobus për në Shkup dhe me të njëjtin ta përdorin edhe transportin publik në kryeqytet.

Aktualisht, qytetarët e Velesit, Kumanovës dhe Tetovës paguajnë biletë mujore të trenit ose autobusit, plus një biletë mujore për në NQP – Shkup për të arritur deri në vendet e punës. Për shembull, bileta mujore për të udhëtuar me tren Shkup – Veles – Shkup kushton 2.450 denarë. Veç kësaj shume, qytetarët e Veles duhet të paguajnë edhe 1.600 denarë për biletë tjetër mujore prej NQP – Shkup për të arritur deri te vendet e punës. Kjo shumë është edhe më e madhe nëse banorët e këtij qyteti vendosin të udhëtojnë me autobus. Tarifa më e ulët e autobusit është 3.000 denarë, me kusht që të udhëtoni me ndërmarrjen e autotransportit nga Velesi.

Ndërkohë që banorët e qyteteve përreth janë duke luftuar për të zgjidhur këtë problem të madh, institucionet deklarohen jo kompetente për këtë temë. NQP – Shkup thotë se Qyteti i Shkupit është përgjegjës vetëm për prezantimin dhe përdorimin e biletës së transportit të kombinuar. Megjithëse shtruam pyetje për këtë temë, “Meta.mk” nuk mori një përgjigje nga autoritetet e qytetit.

Hekurudhat – Transporti thotë se përgjigja për përdorimin e biletës së kombinuar duhet të kërkohet në Ministrinë e transportit dhe lidhjeve. Nga kjo ministri për “Meta.mk” e dhanë përgjigjen e mëposhtme:

– Ministria e Transportit dhe Lidhjeve deri më tani nuk ka zhvilluar bisedime me Qytetin e Shkupit dhe JSP – Shkup. Sipas legjislacionit, Ministria nuk ka juridiksion mbi këtë.

Ndërsa të gjitha autoritetet e deklarojnë veten jo kompetentë, qytetarët e Velesit, Kumanovës dhe Tetovës për të arritur në punët e tyre duhet të ndajnë makinat ose të udhëtojnë me taksi të egër deri në Shkup. Qytetarët e Veles shpenzojnë mbi 6.000 denarë në muaj për të arritur në punë me këtë lloj transporti, i cili u lejon atyre të paguajnë për një biletë, por edhe të arrijnë në vendin e tyre të punës pa ndërprerje, dhe anasjelltas. Interesi për transport të tillë rritet vazhdimisht, në llogari të humbjes së pasagjerëve në transportin hekurudhor, me autobus dhe ai publik në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button