fbpx

GJND urdhëroi Mianmarin të parandalojë gjenocidin ndaj muslimanëve Rohingya

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) njoftoi vendimin e saj mbi akuzat se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj pakicës muslimane Rohingya në rajonin e Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke njoftuar verdiktin për rastin e paraqitur muajin e kaluar nga Gambia, kryetari i GJND-së, gjykatësi Abdulqawi Ahmed Yusuf, deklaroi një afat katërmujor për Mianmarin për të marrë masa parandaluese dhe për të siguruar që muslimanët e Arakanit të mos dëmtohen.

Jusuf tha se muslimanët e persekutuar Rohingya janë grup i mbrojtur brenda Mianmarit sipas Konventës së OKB-së për Gjenocidet të vitit 1948, duke shtuar se komuniteti Rohingya gjendet nën kërcënim real.

Gjykata i kërkoi Mianmarit të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij për të parandaluar veprimet e “vrasjes së anëtarëve të grupit (Rohingya) dhe dëmit fizik ose mendor tek ata” dhe të zbatojë masa për të ndaluar planet për shkatërrimin e këtij komuniteti.

“Mianmari duhet të sigurojë që ushtria e tij ose ndonjë organizatë ose grup i parregullt që i nënshtrohet kontrollit të tij të mos kryejë ndonjë veprim në pikën e parë ose akte të komplotit për të kryer gjenocid ose përpjekje ose bashkëveprim në gjenocid”, thuhet në verdikitin e gjyqtarit të lartë të OKB-së.

Ai shtoi se Mianmari po ashtu duhet të marrë masa efektive për të “parandaluar shkatërrimin e provave të gjenocidit”.

Më tej, kërkohet që brenda katër muajve, Mianmari të paraqesë një raport të zbatimit të masave parandaluese siç urdhërohet nga gjykata e OKB-së.

GJND gjithashtu kërkon nga Mianmari që t’ia dorëzojë një kopje të raportit Gambisë, në mënyrë që të mund të paraqesë komentet e saj.

“Pas raportit të saj të parë, që do të paraqitet katër muaj pas lëshimit të këtij aktgjykimi, Mianmari do të paraqesë një raport të masave të tij të marra pas çdo gjashtë muajsh”, urdhëroi gjykata.

Ndryshe, më 11 nëntor të vitit të kaluar, Gambia ngriti procedurën gjyqësore në GJND për hetim ndaj Mianmarit për gjenocid ndaj muslimanëve të Arakanit.

Komuniteti musliman viteve të fundit është përballur me dhunë masive nga ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë, si pasojë e së cilës, sipas OKB-së, vetëm pas dhunës që filloi në gusht të vitit 2017, rreth 900 mijë Rohingya kanë ikur në Bangladesh.

OKB dhe shumë oganizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë quajtur “spastrim etnik” ose “gjenocid” dhunën ndaj muslimanëve Rohingya.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close