Kot debati, s’ka para për branitellat

Në buxhetin e vitit 2013 nuk janë paraparë para për branitellat. Këtë e ka potencuar deputeti opozitar Izet Zeqiri, duke konstatuar kështu se edhe VMRO-DPMNE e ka të qartë se ligj të tillë nuk do të ketë.

“Në propozim buxhetin e 2013 nuk janë paraparë mjete financiare për realizimin e këtij projekti.Këtë ligj nuk do ta sjellni. Këtë e din edhe kryeministri, e dini edhe ju zoti Vele, e din edhe Suzana edhe gjithë të tjerët se ju nuk mund të sjellni një ligj për të cilin nuk keni parapa mjete financiare. Ju e dini se konceptimi i  buxhetit është bë dhe është dorëzua në parlament, mbasi është dorëzua propozim ligji” , tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu përsëriti se partia e tij do të vazhdojë të mbështes BDI-në në bllokimin e këtij ligji, edhe pse sipas tij BDI ka zgjedhur mënyrën e gabuar për këtë gjë.

“Kemi kaluar në një fazë që për çdo ditë e sa vjen po shndërroheni në një pjesëmarrës të një cirku, të një teatri të përgatitur bashkë me partnerët e koalicionit tuaj VMRO-DPMNE.  Është e dhimbshme si shqiptarë kur ju shohim të përulur, nënçmuar, humbur dhe dorëzuar. Bëni diçka sa të thoni se ja po bëjmë, a kur bëni diçka kot bëhen edhe gabime të hatashme që janë të dhimbshme për shqiptarët. Metodën të cilën e keni zgjedhur është e gabuar. Ka vetëm një mënyrë për ti thënë stop këtij turpi, të parandalohet me vendim politik sjellja e këtij ligji, dhe kjo mund të ndalohet me një takim të liderit tuaj me Nikolla Gruevskin, vetëm kjo është mënyra” – tha Fazliu.

Ndërkohë që Xhevat Ademi nga BDI është përgjigjur se ndaj një ligji të palogjikshëm dhe qesharak, kjo është mënyra e duhur se si të përgjigjet.

“Ky është vetëm fillimi, akoma jemi në fazën kur debati akoma ka logjikë, çdo ditë e më shumë debati dhe situata do e humbin logjikën. Zaten qëllimi i grupit parlamentar të BDI-së është të dëshmojë se për një veprim të këtillë të palogjikshëm, të panevojshëm, të dëmshëm, për një veprim të tillë që nuk ka shanse as teorike të kalojë, nuk ka situatë tjetër përveçse situatave të palogjikshme, dhe ne, gjithnjë e më shumë do ballafaqohemi me situata të cilat në radhë të parë do të rrënojnë qëllimin e propozuesit sepse materia e cila do trajtohet do bëhet qesharake, komike, paradoksale, objekt trajtimesh nga më të ndryshme dhe çdo ditë e më shumë ky projekt do shndërrohet në të keqen e propozuesit”, ka deklaruar deputeti i BDI-së Xhevat Ademi.

Ekspertët thonë se pasi nuk janë paraparë mjete, VMRO-DPMNE është e bindur që ligji nuk do të kalojë, së paku jo në vitin 2013, pasi mbulimi finansiar për këtë ligj nuk është çështje që zgjidhet vetëm me rebalanc buxhetor./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button