QEVERISJE OSE TREGTI

Rri i menduar perandori bizantin, të cilin e bren një shqetësim. Në perandorinë e tij është shfaqur një armik i padukshëm. Ai nuk luftohet me armë e ushtri. Ia dredh edhe dredhisë së njohur bizantine. Ky armik i padukshëm, që ka shkatërruar shumë perandori (se ato shkatërrohen nga brenda) dhe që ia gërryen themelet perandorisë së tij, quhet korrupsion.

I zhytur në mendime, teksa kërkon një zgjidhje, ai herë pas here e hedh shikimin nga dritaret e pallatit prej ku duken anijet që ankorojnë në port. Sakaq e dallon një anije të madhe, të tejmbushur me mallra; një anije mahnitëse, më e bukura anije që ka parë ndonjëherë, në direkun e së cilës valëvitet flamuri perandorak. Mbase flamuri perandorak i shërben si mbrojtje nga piratët, që kohëve të fundit janë shtuar shumë, hamendëson ai.

Nën mahnitjen e kësaj bukurie, ai i kërkon vartësit ta mësojë pronarin e anijes. Pastaj sërish zhytet në mendime. Armiku i ri nuk mposhtet me heshtë, shpatë e katapultë…

Pas pak troket dera. Vartësi përkulet. Ka siklet. Kokrra djerse, si kristale akulli, ia ftohin ballin. Perandorit i krijon bezdi. I jep shenjë se është koha për të folur. Dhe vartësi e njofton se anija e bukur, më e bukura anije që ka parë ndonjëherë, është e gruas së tij, që bënte tregti pa lejen e burrit.

Perandorit bizantin i rrotullohet pallati. I duket sikur do t’i shembet mbi kokë. Se perandori beson që një drejtues shteti nuk guxon të merren me tregti, sepse e keqpërdor pushtetin për përfitime tregtare. Aq më pak gruaja e tij.

Perandorit, që tani i vijnë ndërmend emra prijësish, që duke bërë tregti harruan të qeverisnin, urdhëron që të fundoset anija me gjithë mallrat. Se perandorit i intereson perandoria dhe jo pasuria.

Përgjatë historisë ka ndodhur shumë rrallë që të zbatohej parimi i këtij perandori: ai që qeveris nuk guxon të merret me tregti.

Historia jep shembuj të panumërt me pushtetarë që e keqpërdorën pushtetin për tregti dhe për shkak të tregtisë harruan të qeverisnin. Ose: me qeveritarë e prijës politikë, që nuk merreshin me tregti, sepse këtë e bënin të afërmit e tyre.

Tregtarët në qeverisje shesin e blejnë. Ata shesin fate njerëzish dhe fëmijësh të tyre. Përderisa anijet e tyre të mëdha dërgojnë dhe sjellin mallra nëpër katër anët e botës, ata flasin për ideale dhe për të ardhmen e ndritur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button