Edhe përkundër apeleve të BE-së, Osmani vlerëson se miratimi i Ligjit për Prokurori ka domethënie simbolike

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, pavarësisht apelit të komesionerit europian, Oliver Varhjeli, vlerëson se miratimi i Ligjit për Prokurori Publike, më tepër ka domethënie simbolike duke e pasur parasysh se çështja e ish Prokurorisë Speciale Publike (PSP), është rregulluar pasi që lëndët, arkivi dhe të punësuarit janë transferuar në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP), njofton Portalb.mk.

“Çështjet që duhet t’i rregullojë Ligji për Prokurori Publike janë të rregulluara në vete me faktin që Prokuroria Publike vazhdon punën aty ku e ndërpreu Prokuroria Speciale me të gjitha kapacitetet e veta, ndoshta edhe më tepër, përfshirë këtu lëndët e marra, arkivin, të punësuarit, mirëpo çështja e miratimit të ligjit ka domethënie simbolike për shkak se tregon vullnetin e partive politike për t’u marrë me luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Ligji për Prokurori Publike nuk është bençmark formal, nuk është i shkruar në asnjë dokument të këshillave të Bashkimit Evropian se ne kemi diçka plotësisht, pasi që kemi pasur rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni dhe është pranuar në mënyrë të pa kushtëzuar edhe nga Këshilli, vetëm që nuk patëm vendim për fillimin e bisedimeve, por Këshilli nuk tha se keni edhe një bençmark, por individualisht vendet-anëtare vlerësojnë se ky ligj është i rëndësishëm për shtetin ligjor”, tha Osmani në konferencë për shtyp me kryetarin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkoski.

Sipas tij, kjo çështje është ngulitur shumë në perceptimin e vendeve-anëtare si nevojë imediate për të krijuar parakushte për shtet ligjor dhe tani disa shtete-anëtare, si Franca dhe Holanda në një mënyrë e kanë kushtëzuar procesin me nevojën e një miratimi konsensual të një ligji që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit të lartë, apo të nivelit politik.

Zv/kryeministri u bëri thirrje partive që t’i tejkalojnë interesat partiake dhe ta miratojnë ligjin para shpërndarjes së Kuvendit.

“Thirrja është që të shfrytëzojmë këto ditë dhe të arrijmë një konsensus, ta miratojmë këtë ligj që të marrim nga dora të gjitha argumentet e mundshme nga cilido vend-anëtar pë ta bllokuar procesin e fillimit të bisedimeve. Unë kujtoj se partitë politike do ta ndjejnë përgjegjësinë e momentit dhe do i tejkalojnë dallimet partiake dhe politike dhe të takohen diku në mes dhe do ta miratojmë sa më shpejtë ligjin për Prokurorinë”, shtoi Osmani.

Ndryshe, erokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhejli, gjatë vizitës në Shkup apeloi që sa më shpejtë të afrohen qëndrimet për Ligjin për Prokurori Publike dhe porositi se duhet që t’i jepet prioritet atij ligji.

Siç tha Varhejli, nëse partitë arrijnë pajtueshmëri, sipas tij, ajo do të jetë sinjal i mirë deri te vendet-anëtare për gatishmërinë e shtetit për të plotësuar atë që kërkohet prej saj.

Ligjin për prokurori publike, me të cilin do të zgjidhet edhe problemi pas ndërprerjes së mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, si prioritet e ka përmendur edhe ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dje tha se është hedhur poshtë mundësia që të takohet me liderin e opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski,pasi që siç tha “dukshëm nuk dëshiron që të gjendet zgjidhje“. Zaev theksoi se për miratimin e Ligjit për Prokurori Publike do të bisedojë edhe me 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE, pasi që të njëjtët votuan ndryshimin e emrit të Maqedonisë, gjegjësisht Marrëveshjen e Prespës me Greqinë.

Për sot është paralajmëruar takim mes Bojan Mariçiqit nga LSDM-ja dhe Timço Mucunksit nga VMRO-DPMNE-ja për atë si të vazhdohet me dialogun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button