TRE KATUNDARË

Tre katundarë: Xeni, Koli dhe Liça. Takohen rastësisht para kafenesë së fshatit.  Aty, kuptohet, krahas tymit që del nga dera prej të pirit duhan ka edhe mjegull. Dhe ftohtë është. Xeni një burrë i hajthëm, me cigare në dorë, Koli e Liça më të plotë. Liça madje është tul fare dhe qëndron me duar në xhepa

“A në kafene o Xeno po del a në mejhane”? pyet Koli si me shaka.

“Unë në mejhane”, ia kthen Xeni. “Për kafene s’jam”…

“Po ti o Liço, kah po ia mban ti? Në kafene, në pijetore, në mejhane apo në çajtore?”

“Dola ta pi një çaj”, thotë Liça. Liçës nuk i pëlqejnë fjalët mejhane e pijetore, s’i pëlqen madje as fjala kafene, sepse aty ka raki e verë. Liça i ruhet haramit. Pastaj heshtje. Heshtin të tretë.

“Hajt të hymë brenda, se u ngrimë kot”, thotë dikur Xeni. Dhe hyjnë. Secili e ka shoqërinë e vet, por kësaj radhe asnjëri s’e ka asnjë shok brenda. Për çudi vetëm një tavolinë është e zbrazur. Koli ulet. Ta pi një kafe, mendon. U ofron edhe Xenit e Liçës të ulen. Dhe, ata ulen.

Kamerieri e di se çfarë pinë, sepse i ka myshterinj, ndonëse s’i ka parë asnjëherë të ulen bashkë në një tavolinë. U sjell pijet. Pasi e le edhe llogarinë fiskale në tavolinë, kamerieri largohet.

Heshtje. Xeni i bie ngadalë me çelës tavolinës, me një ritëm: ta-ka, tak, tak-tak! Pastaj Liça e përzien çajin: tring-tring-tring…

“O Xeno, si ke qenë me shëndet”? pyet Koli.

“Mirë”, përgjigjet shkurt Xeni.

Edhe një herë heshtje. Pastaj Liça e vë në buzë gotën e çajit dhe e tërheq: fërrrrrr duke e e përpirë gjysmën e gotës.

“A mos u lodhe Liço”? e pyet Xeni.

“Jo”,  përgjigjet Liça dhe vazhdon, “hej, a dëgjuat bre?” pyet.

“Çfarë?”,  ia kthen Xeni.

“Dëgjova se po e agrogojnë Ligjin për lustrim… Liçës i shkëlqejnë sytë. “E më erdhi mirë, shton Liça”…

“Çkaaa”? pyet Koli dhe e shikon Xenin.

“Çka po më shikon mua?” reagon Xeni. “Shikoje Liçën!…

“Pse, a nuk ju vjen mirë juve që po e heqin këtë ligj që po i nxin njerëzit? ndërhyn Liça.

Koli përsëri e shikon Xenin.

“O Kol, ashiqare po e pret mendimin tim…

“Jo desha të të pyes ty, o Xen, a humbim a fitojmë me këtë që po e heqin këtë ligj. Po të pyes ty se Liça s’i di këto punë”.

“I di Liça mirë”, thotë Xeni. “I di dhe i ka ditur mirë gjithmonë. E po deshe mendimin tim, ja po ta them. Po më ardhka shumë keq që po e abrogojnë. Jo, pse unë i bëra pesë vjet burg në Zabelën famëkeqe… Nuk bëhet fjalë për mua, por për tërë një popull. Abrogimi i ligjit për lustrim do të thotë humbje e të kaluarës sonë. Do të humbin kështu të gjitha vuajtjet e njerëzve të pafajshëm, do të dhunohet drejtësia. Dëgjo, Kol, një popull që s’e ruan të kaluarën, që s’kujdeset për të tashmen dhe nuk investon për të ardhmen, ai është i dënuar të përfundojë në humnerën e harresës. Thuajse s’ka ekzistuar kurrë mbi sipërfaqe të tokës”…

“S’e mora vesh Xenin… Pse po thotë se ‘i di Liça’… Çfarë ditkam unë?

“Ti di gjithçka”… i thotë qetë Xeni

“Pse ditkam unë gjithçka”?

“A mos deshe të të tregoj para të gjithëve”?

“Fol”, thotë Liça.

“Emri yt bredh nëpër dosjet e shumë njerëzve, Liço”…

Liça hesht.

“Kol, shikoje Liçën mirë në fytyrë”. Koli e shikon. “A sheh diçka”?

“Jo”…

“Kujtoje të kaluarën… Hidhja një sy të kaluarës që ta shohësh Liçën si bredh nëpër korridoret e pushtetit. Si jep informata për katundarët. A të kujtohet”?

“Kam harruar”, thotë Koli.

Xeni u drejtohet të gjithë të pranishmëve.

“Po juve a ju kujtohet”

Të gjithë heshtin.

“O zot”, thotë Xeni, “pse o zot i ke bërë këta njerëz me sy prej xhami”. Pastaj del nga kafeneja pa i thënë kuj natën e mirë.

“Ç’deshi të thotë me ata sytë prej xhami”? pyet Liça.

“Tha se nuk të kemi parë ty kur ke spiunuar katundarët, domethënë se jemi  të verbër”, u dëgjua një zë i një të riu nga një tavolinë në një skaj të kafenesë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button