Gjyqi kundër presidentit të Amerikës dhe argumentet e nxehta të palëve

Ligjvënësit demokratë, aktorët kryesorë të procesit që synon shkarkimin e presidentit amerikan dhe anëtarët e ekipit ligjor të Trump, debatuan të dielën lidhur me atë nëse përpjekjet e presidentit për të nxitur Ukrainën për të nisur një hetim nga i cili mund të përfitonte politikisht, përbënin shkelje të nivelit që parashikon Kushtetuta për shkarkimin e një presidenti.

Gjyqi në Senat ndaj Trumpit u hap zyrtarisht javën e kaluar dhe të martën do të dëgjohen argumentet hyrëse të palëve. Por ndërkohë, përfaqësuesit e ekipit ligjor të presidentit me komentet e tyre nëpër media të dielën, dhanë një shije të asaj që pritet në Senat, transmeton VoA.

Avokati Alan Dershowitz, një prej anëtarëve të ekipit që do të mbrojë Trumpin tha për CNN-in se ai parashikon të dëshmojë përpara senatorëve se “edhe nëse faktet e paraqitura janë të vërteta, ata nuk ngrihen në nivelin e një vepre që duhet të çojë në ngritjen e akuzave zyrtare ndaj Trumpit me synim shkarkimin e tij nga detyra”, tha ai.

100 anëtarët e Senatit gjatë procesit gjyqësor do të luajnë rolin e jurisë dhe do të vendosin mbi fatin e presidentit Trump. Ata do të vendosin nëse Trumpi ka kryer një “krim dhe kundërvajtje” të atij niveli që parashikon Kushtetuta amerikane për heqjen e një presidenti nga detyra.

Por duket se është e pamundur që Senati të shkarkojë Trumpin, në kushtet kur shumica e tij përbëhet nga republikanët. Për shkarkimin e presidentit do të duheshin dy të tretat e votave të anëtarëve të Senatit.

Në korrikun e vitit të kaluar, Trumpi i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të nisë një hetim ndaj kundërshtarit të tij më të fortë në radhët e demokratëve për garën e 2020-s, ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden.

Telefonata mes dy udhëheqësve ndodhi në të njëjtën kohë kur Trumpi mbante të bllokuar 391 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin, ndihmë që më pas u lëshua.

Dershowitz argumentoi se veprimet e Trumpit nuk përbënin një sjellje kriminele. Ai tha se “nëse argumenti i tij triumfon” dhe Senati vendos se nuk ka pasur ndonjë vepër që mund të çojë në shkarkimin e presidentit “nuk do të ketë nevojë për dëshmitarë” në gjyq dhe se “Senati duhet të votojë për ta shfajësuar Trumpin ose të lërë çështjen kundër tij”, tha ai.

Ligjvënësi Adam Schiff, udhëheqësi i grupit prej 7 ligjvënësish demokratë që do të shërbejnë si prokurorë gjatë gjyqit në Senat, tha për televizionin ABC se “faktet nuk po merren seriozisht” duke përmendur ndër të tjera se presidenti pengoi me qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake për një aleat në luftë me Rusinë.

Ligjvënësit e Dhomës thonë se është e qartë se “provat tregojnë plotësisht” se Trumpi është fajtor për të dyja akuzat me të cilat përballet.

Ndërkaq, ekipi juridik i Trumpit e quan përpjekjen e fajësimit të tij “një sulm të rrezikshëm ndaj të drejtës së popullit amerikan për të zgjedhur lirisht presidentin”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button