Reagoi Arbër Ademi pas aktivitetit të ASH-së: Sukseset mbajnë vulën e BDI-së dhe Ali Ahmetit

Arbër Ademi, Ministri i arsimit në RMV reagoi sot pas aksionit simbolik të Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), duke e konsideruar premtimin e tij si sukses ‘që mban vulën e BDI-së dhe të Ali Ahmetit’, transmeton Portalb.mk.

“Ju njoftoj se do kemi objekt të ri shkollor për nxënësit në Reçicë të Vogël, komuna e Tetovës dhe objekt të ri shkollor për nxënësit e fshatit Bllacë”, theksoi Ademi, duke premtuar se nxënësit e SHFK “Naim Frashëri” do të kenë kushte sipas standardeve evropiane.

Ai premtoi se nuk do të ketë më nevojë që nxënësit të kalojnë kufirin Kosovë – RMV që të shkollohen, pasi do të ndërtohet objekt i ri për shkollën, por pa saktësuar kur do të ndërtohet.

“Ata të cilët nuk kanë kapacitet, vizion dhe ide, sigurisht se nuk u mbetet tjetër, përveçse të kritikojnë kur bëhen punë të mira. Ne mbetemi të fokusuar në realizimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, maksimalisht të angazhuar për përmirësimin e standardit jetësor”, shtoi Ademi.

Ai publikoi edhe ilustrime se si do të duket shkolla.

Ndryshe, Forumi rinor i Aleancës për Shqiptarët (FRASH) ka zhvilluar aksion simbolik në vendin ku duhet të ndërtohet shkolla fillore në Reçicë të Vogël.

“Gjendemi këtu para shkollës fillore të lagjes Reçicë e Vogël, e cila siç u premtua në vitin 2013 u ndërtua nga donator kinez i cili është i pranishëm sot me ne në inaugurimin e kësaj shkolle. Mirëpo ashtu siç shihet, fatkeqësisht, donator kinezi  si shumë mallra kineze doli se na paska qenë fallco”, thonë nga FRASH.

Ndryshe, së fundmi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në faqen e tij të Fejsbuk-ut publikoi vendimin për ndërtimin e objektit të kësaj shkolle, e cila do të ju shërbeje nxënësve të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” të cilët deri sot kanë ecur me kilometra për të arritur në mësim.

Gazetari i Portalb.mk analizoi tenderin e publikuar në sistemin për furnizim publik, dhe informon se në qoftë se punët shkojnë sipas planit të parashikuar dhe nuk del ndonjë pengesë, nxënësit e Reçicës së Vogël vitin shkollor 2021 do të mund ta fillojnë në objektin e ri.

Meqenëse tenderi tanimë është publik, me datë 13 shkurt bëhet hapja e mundësisë që kompanitë të aplikojnë me ofertat e tyre për ndërtimin e shkollës, menjëherë pas kësaj në qoftë se nuk ka ankesa do të nevojiten 1 muaj për të nënshkruar marrëveshjen dhe të përmbyllen punët administrative që më pas në fillim të muajit prill të fillojnë punët për ndërtimin e shkollës.

Afati i paraparë për kompaninë që t’i përfundojë punimet për ndërtimin e shkollës është 17 muaj, andaj në qoftë se punët fillojnë në prill të këtij viti, të njëjtat pritet të përfundojnë në fillim të muajit shtator të vitit 2021.

Ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, Tetovë, është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg  shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Zgjidhja e këtij problemi u premtua disa herë, madje nga fushata e parë parazgjedhore e kryetares Arifi, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë në drejtim të aktiviteteve ndërtimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button