ASH: Arbër Ademi përpiqet të tallet me nevojën e banorëve të Reçicës së Vogël (FOTO)

Forumi rinor i Aleancës për Shqiptarët (FRASH) ka zhvilluar aksion simbolik në vendin ku duhet të ndërtohet shkolla fillore në Reçicë të Vogël, transmeton Portalb.mk.

Reagimi i tyre vjen pas premtimit të ri të Ministrit të arsimit Arbër Ademi, se kjo shkollë do të fillon të ndërtohet në fillim të muajit prill, ndërsa sipas dinamikës pritet të përfundohet në shtator të vitit 2021. Ata premtimin e Arbër Ademit e llogaritin ‘tallje me nevojën dhe ndjenjat e banorëve të Reçicës së Vogël’.

“Gjendemi këtu para shkollës fillore të lagjes Reçicë e Vogël, e cila siç u premtua në vitin 2013 u ndërtua nga donator kinez i cili është i pranishëm sot me ne në inaugurimin e kësaj shkolle. Mirëpo ashtu siç shihet, fatkeqësisht, donator kinezi  si shumë mallra kineze doli se na paska qenë fallco”, thonë nga FRASH.

Këta të fundit, edhe premtimin e Teuta Arifit në vitin 2013, e llogaritin të tillë, fals.

“Premtimi për ndërtimin e kësaj shkolle u dha edhe në zgjedhjet parlamentare në 2016 dhe ato lokale në vitin 2017 dhe u bënë më shumë se 7 vite dhe ky premtim asnjëherë nuk u realize”, deklarojnë nga FRASH.

Sipas FRASH, shkolla është një nevojë reale, pasi rreth një mijë nxënës rrezikohen çdo ditë duke kaluar rrugë me qarkullim për t’u shkolluar.

Ndryshe, së fundmi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në faqen e tij të Fejsbuk-ut publikoi vendimin për ndërtimin e objektit të kësaj shkolle, e cila do të ju shërbeje nxënësve të Shkollës Fillore “Naim Frashëri” të cilët deri sot kanë ecur me kilometra për të arritur në mësim.

Gazetari i Portalb.mk analizoi tenderin e publikuar në sistemin për furnizim publik, dhe informon se në qoftë se punët shkojnë sipas planit të parashikuar dhe nuk del ndonjë pengesë, nxënësit e Reçicës së Vogël vitin shkollor 2021 do të mund ta fillojnë në objektin e ri.

Meqenëse tenderi tanimë është publik, me datë 13 shkurt bëhet hapja e mundësisë që kompanitë të aplikojnë me ofertat e tyre për ndërtimin e shkollës, menjëherë pas kësaj në qoftë se nuk ka ankesa do të nevojiten 1 muaj për të nënshkruar marrëveshjen dhe të përmbyllen punët administrative që më pas në fillim të muajit prill të fillojnë punët për ndërtimin e shkollës.

Afati i paraparë për kompaninë që t’i përfundojë punimet për ndërtimin e shkollës është 17 muaj, andaj në qoftë se punët fillojnë në prill të këtij viti, të njëjtat pritet të përfundojnë në fillim të muajit shtator të vitit 2021.

Ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, Tetovë, është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg  shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Zgjidhja e këtij problemi u premtua disa herë, madje nga fushata e parë parazgjedhore e kryetares Arifi, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë në drejtim të aktiviteteve ndërtimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button