Konsensus ose “luftë” e re për dy të tretat – Ligji për Prokurori Publike misioni i (pa)mundshëm

A është e mundur që një konsensus politik ose eventualisht sërish duhet të kalohet rruga me gjemba edhe për “sagë parlamentare për dy të tretat” (sipas modelit të ndryshimeve kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës), me qëllim të miratimit të ligjit për prokurori publike, pasi vizita e djeshme një ditore në Shkup e Komisionerit evropian për zgjerim, Oliver Varheji, e ka ngritur atë si prioritet për reforma të cilin duhet ta zgjidhë ky parlament para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në prill, shkruan Portalb.mk.

Megjithatë, duke gjykuar nga reagimet fillestare të partive, ka më shumë të ngjarë që askush të mos nxitojë dhe “të thyej këmbët” për të miratuar ligjin në disa javët e ardhshme para shpërbërjes së Parlamentit, pasi disa përpjekje të mëparshme pësuan disfatë të thellë, ndërkohë që në horizontin politik nuk shihet kurrfarë lëvizje. Qëndrimi i Varhejit nuk u paraqit si ndonjë variant ose-ose një, përkatësisht ose ligj për PP ose nuk do të ketë fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, por, gjithsesi, sipas vlerësimeve politike, paraqet mesazh serioz për subjektet politike para publikimit të mini-raportit të BE-së për progresin e reformave në vend të planifikuar për muajin tjetër. Ai raport, tha Varheji dje, ende nuk ka filluar të shkruhet, por ai përkujtoi se ligji për prokuroi publike është shumë i rëndësishëm për të.

“Ligji për prokurorinë publike nuk është dhënë si kusht i ngurtë. Komisioneri evropian për zgjerim Varheji theksoi se i kemi përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave para-aderuese me Bashkimin Evropian dhe se do të ishte mirë nëse miratohet edhe ligji për prokurori publike. Ata janë të vetëdijshëm për situatën aktuale dhe pengesat nga partia kryesore opozitare, si dhe për afatet e shkurtra deri në shpërbërjen e Parlamentit”, tha Bojan Mariçiç, këshilltari i qeverisë për eurointegrime dhe negociatori kryesor teknik me BE-në.

LSDM dhe VMRO-DPMNE thonë se mund të sillet zgjidhje cilësore ligjore për PP, por që të dy partitë edhe më tej mbesin të bindura që versioni i tyre është i vërteti. Në shtator të vitit të kaluar, një takim shtatë-orësh midis liderëve Zaev dhe Mickoski dhe ekipet e tyre negociuese u rrëzua për këto arsye. Pengesat kryesore ishin emërimi dhe përcaktimi i shefit të Prokurorisë për krim të organizuar në të cilën do të përfshihej PSP (opozita kërkoi që të ishte propozimi i saj), si dhe hetimet e nisura pas afatit 30 qershor 2017, të parashikuara me Marrëveshjen e Përzhinës. Ishte parashikuar gjithashtu që materialet e përgjuara që janë prova në rastet tashmë në gjykim në 18 rastet e PSP-së të vazhdojnë të përdoren, ndërsa për çështjet pas 30 qershorit 2017 ato të mos jenë prova në procedurë.

Partia në pushtet akuzoi se VMRO-DPMNE vetëm kërkojnë që çështjet e PSP-së të vinin nën kontrollin e tyre, për të ndalë të gjitha procedurat para-hetimore dhe hetimet dhe të heshtet krimi. Opozita, ndërkohë, ka akuzuar që negociatat kanë dështuar sepse qeveria dëshiron me çdo kusht të mbrojë veten në çështjen “Reket” dhe nuk mund të pranojë asnjë zgjidhje sistematike për korrupsionin e lartë, të cilin ndonjë tjetër prokuror profesionist do ta kishte shqyrtuar në këtë mega-skandal, përveç, siç thanë ata, prokurorja e përshtatshme për qeverinë Vilma Ruskoska.

VMRO-DPMNE edhe sot akuzoi se ata nuk kanë hequr dorë nga negociatat për harmonizimin e pikëpamjeve me LSDM-në.

“LSDM hoqi dorë nga miratimi i ligjit të ri. Kur Prokuroria publike i ndërmori gjatë vjeshtës çështjet nga Prokuroria speciale, Ministrja Deskoska tha se pas kësaj miratimi i ligjit nuk ishte aq urgjent”, tha zëdhënësi Naum Stoillkovski.

LSDM, ndërkohë, e fajëson opozitën për pengesa.

“Ne ekemi paraqitur iniciativën shumë kohë më parë. Fatkeqësisht, VMRO-DPMNE po bllokon ligjin në çdo mënyrë të mundshme, për të amnistuar kriminelët dhe kriminelët në radhët e tyre”, thonë nga LSDM.

Ligji për prokurorinë publike, i cili daton nga korriku i vitit të kaluar, aktualisht ka ngecur nëpër labirintet parlamentare. Edhe pse Ministria e drejtësisë kohët e fundit ka paralajmëruar se po përgatitet projektligj i ri, versioni i vjetër mbetet në lojë.

“Ligji është lëshuar në Parlament dhe ne do të ishim shumë të lumtur nëse deputetët e tejkalojnë veten e tyre. Mesazhi nga Komisioneri evropian është i qartë dhe ne presim dhe duam që deputetët të gjejnë forcë e ta votojnë, të motivuar nga e ardhmja evropiane e shtetit, e jo të motivuar nga interesat personale të atyre që duan t’i ikin drejtësisë. Kjo pyetje është një provë e patriotizmit”, thuhet në mesazhin me shkrim nga ministria.

Burime nga Komisioni parlamentar për çështje evropiane, ku u shqyrtua zgjidhja ligjore, thonë se në këtë moment realisht nuk ka ndonjë tekst përfundimtar të ligjit për të cilin do të hapej debat shpejtë.

“Asgjë nuk ka arritur në Komisionin për çështje evropiane. Për shembull, dje e shqyrtuam një ligj krejtësisht tjetër për investimet ekonomike. Puna ka ndaluar aty ku e lamë – te grupet e punës. Pasi çështjet i mori Prokuroria publike në Parlament, as po flitet për këtë ligj ”, thonë ata.

Sipas vlerësimeve pa një marrëveshje politike, që e përfshin opozitën, ligji nuk do të miratohet, megjithëse lihet pak hapësirë ​​për t’iu rikthyer sërish opsionit për të siguruar një shumicë prej dy të tretave sikur në rastin e ndryshimeve kushtetuese sipas Marrëveshjes së Prespës. Në këtë kontekst, mund të shihet edhe fakti se në agjendën e vizitës së parë të Varchejit në rajon ishin edhe deputetët e pavarur që mbështetën zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE, tani ka shtatë anëtarë, pasi deputeti Zeqir Ramçilloviq vendosi të veprojë plotësisht i pavarur, e pas kësaj ai u zgjodh nënkryetar i parlamentit. Ndërsa “shtatëshja” po e ndërton pozicionin për këtë çështje, Nola Ismajloska Starova, e cila është pjesë e këtij grupi, flet në emrin e saj.

“Unë do të votoja për çdo zgjidhje që është e drejtë. E rishikuam tekstin e fundit. Në disa zgjidhjet ishin përfshirë vërejtjet e dy partive më të mëdha politike, por secila tani po bën marketingun e vet”, thotë IsmajloskaStarova.

Edhe pse afatet janë të shkurtra, ajo ende mendon se ligji mund të miratohet.

“Ka një vit që janë zhvilluar negociata, nuk është që ky problem po vjen në rend dite pikërisht tani. Unë mendoj se ka hapësirë për zgjidhje. Kjo varet nga ajo se sa mesazhet arrijnë te partitë politike. Sipas mendimit tim, është me të vërtetë e rëndësishme të bëjmë një hap përpara në këtë pjesë, e cila do të jetë e rëndësishme për ne, si dhe për ata që pa rezerva na mbështesin në rrugën e integrimi evropian, ta kenë atë si një pikë referimi”, vlerëson ajo.

Edhe Aleanca për Shqiptarët edhe BESA vijnë me deklarata të ngjashme. Ata thonë se do të mbështesin zgjidhje ligjore që do të rrisë efikasitetin dhe profesionalizmin e Prokurorisë publike, pa pasur ndonjë dispozitë të fshehur në të që do të falte krimet e individëve të caktuar. Sidoqoftë, ata thonë se periudha është problematike, ne praktikisht jemi para zgjedhjeve dhe procesi, siç thonë ata, mund të ndërlikohet.

Nga Ministria e punëve të jashtme i bëjnë apel Parlamentit që të ndihmojë dhe miratojë ligjin për prokurorinë publike.

“Theksin në atë ligj e vendos veçanërisht Holanda, e pjesërisht Franca. Nëse e mundësojmë edhe atë atu në duart e Holandës, dhe kjo na jep kalim të pastër për negociatat, atëherë disi zvogëlohet hapësira e manovrimit për Francën. Nëse partitë politike ia dalin ta miratojnë këtë ligj për të cilin nevojiten dy të tretat dhe nëse përfundojnë proceset e rëndësishme gjyqësor, kjo do të ndihmojë që çështja jonë të bëhet edhe më i fortë”, thonë burime të larta të MPJ-së.

Ligjin për prokurori publike, me të cilin do të zgjidhet edhe problemi pas ndërprerjes së mandatit të Prokurorisë speciale publike, si prioritet e ka përmendur edhe ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button