Forbes: Princi i EBA-së kishte rol në puçin në Egjipt, lufton qeverinë legjitime të Libisë

Revista amerikane “Forbes” publikoi një artikull që tërheq vëmendje rreth ndikimit të princit të kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohammed bin Zayed Al Nahyan (MBZ), në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në artikull tërhiqet vëmendja se pavarësisht se ka një ndikim më të fuqishëm në Lindjen e Mesme, ai njihet më pak në krahasim me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), duke dhënë detaje tronditëse të planeve të MBZ-së në Lindjen e Mesme.

Sipas artikullit, MBZ nga disa zyrtarë të lartë të administratës së ish-presidentit amerikan Barack Obama përshkruhej si “i rrezikshëm dhe i pasinqertë”, kurse administrata e presidentit Donald Trump e trajton në mënyrë më toleruese atë.

– “MBZ pjesë e problemit”

Ndërkohë, në artikull bëjnë pjesë edhe raporte të disa organizatave të të drejtave të njeriut dhe dëshmitë e diplomatëve të huaj në lidhje me MBZ, duke theksuar se me qëndrimin absolutist, MBZ ka shkaktuar konflikte në Jemen dhe Libi, rezultatet e të cilave nuk mund t’i kontrollojë.

MBZ, sipas artikullit, me politikat që zbaton “nuk ofron zgjidhje për paqëndrueshmërinë në Ngushticën e Hormuzit dhe në Lindjen e Mesme” ashtu siç paraqitet, por, përkundrazi, “është pjesë e problemit”.

“MBZ është një diktator që në emër të luftës kundër radikalizmit islam burimet ushtarake dhe financiare të vendit i përdor për t’i rrënuar strukturat me prirje demokratike në rajon”, thuhet në artikull.

– “Shpall luftë kundër qeverisë së Tripolit të mbështetur nga OKB”

Nga ana tjetër, artikulli nxjerr në pah se MBZ, i cili bashkëpunon me Arabinë Saudite, ka luajtur rol në puçin e ndodhur në Egjipt, presidenti i të cilit është gjenerali Abdel Fattah el-Sisi, “lideri më represiv i historisë së Egjiptit”, gjithashtu duke e armatosur liderin e forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, ka shpallur luftë kundër qeverisë së Tripolit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB).

Megjithatë, potencohet se MBZ e ka zvogëluar praninë e vendit të tij në Jemen në kohët e fundit, duke tërhequr vëmendjen se në prapaskenë për shkak të mbështetjes ushtarake dhe financiare ndaj mercenarëve dhe grupeve separatiste në Jemen, luan rolin kryesor në problemet humanitare si torturat, vdekjet civile dhe migrimet masive në rajon.

Më tutje, artikulli, thekson se qëndrimi fleksibil dhe shitja e armëve në vlerë prej 27 miliardë dollarë nga ana e administratës amerikane, ka hapur derën për qëndrimin “aventurist dhe të pamatur” që shfaq EBA nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit në rajon. Gjithashtu, është pohuar se roli politik dhe ushtarak i EBA-së në rajon shkakton shkatërrim dhe paqëndrueshmëri.

– Presion ndaj disidentëve

Mes tjerash, theksohet se MBZ nëpërmjet një rrjeti kompleks të vëzhgimit brenda vendit përcakton emrat disidentë dhe i burgos ata. Në të njëjtën kohë mbikëqyr nga afër shtetasit e SHBA-së, Britanisë dhe vendeve të tjera.

Artikulli gjithashtu i është referuar edhe raporteve të organizatës Humans Right Watch në lidhje me temën.

“Përveç arrestimeve arbitrare ndaj emrave disidentë brenda vendit, EBA kohë pas kohe zhvillon edhe aktivitete të rrëmbimit. Është edhe pjesë e sulmeve të koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që bën krime lufte në Jemen. Administrata e EBA-së akuzohet edhe me torturimin e të burgosurve dhe keqpërdorimin e punonjësve migrantë në vend”, thuhet në artikull.

– Lobim në favor të EBA-së në SHBA

Artikulli, për më tepër, ndalet edhe në arsyen e mosmarrjes së kritikës së mjaftueshme të aktiviteteve në fjalë të EBA-së dhe MBZ-së në Washington, duke theksuar se EBA vetëm në vitin 2018 ka paguar 20 milionë dollarë për 20 kompani lobimi me qendër në Washington.

Theksohet se kompanitë në fjalë zhvillojnë afër 3.000 aktivitete lobimi në favor të EBA-së në Kongresin Amerikan, organizata “think-tank” dhe mediat amerikane dhe se është dhënë donacion prej 600 mijë dollarësh për politikanët në SHBA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button