Transferimi i të punësuarve nga administrata publike në sektorin privat, pas zgjedhjeve

Transferimet e para të të punësuarve nga sektori publik në sektorin privat, pritet të ndodhin pas zgjedhjeve të 12 prillit. Këtë sot e tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, pas takimit me odat ekonomike dhe sindikatat, me të cilët janë diskutuar 5 pakot e projektit për riorganizimit të institucioneve të sistemit, në pjesën e transferimit të një pjese të të punësuarve nga sektori publik në sektorin privat, raporton Portalb.mk.

“Për shkak të periudhës parazgjedhore, transferimi i të punësuarve nga sektori publik në atë privat nuk do të ndodh. Çdo lëvizje në sektorin publik është e ndaluar prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve, gjegjësisht prej 12 shkurtit. Këtë ne po e bëjmë gjatë kohë dhe ky është projekt për të cilin duhet të kemi jo vetëm konsensus politik, por edhe shoqëror. Askush të mos frikësohet nga kjo pasi që askush nuk do të dalë i dëmtuar nga kjo punë”, tha Mançevski, duke theksuar para se gjithash duhet të ketë konsensus të gjerë politik pasi që Ligji për organizim të organeve të administratës shtetërore ndryshohet me shumicë prej dy të tretave.

Në lidhje me atë se sa të punësuar mund të transferohen prej sektorit publik në atë privat, Mançevski, tha se sot nuk janë fokusuar te numrat, pasi që atë do ta konstatojnë analizat funksionale të cilat duhet të jenë gati për një muaj.

“Sot s’kemi biseduar për numra. Besoj që për një muaj mund të flasim për rezultate konkrete të këtyre analizave, të cilat do t’u ofrohen palëve të interesuara dhe opinionit, dhe në bazë të këtyre analizave do të shikohet se çfarë oferta mund të bëjmë. Sot nuk jemi fokusuar në numra pasi që ajo do të jetë pjesë e rezultateve finale të analizave funksionale. Nuk bëhet fjalë për cilët njerëz, por cilët vende të punës”, tha Mançevski.

5 pakot që janë duke u diskutuar

  1. Transferimi i të punësuarve nga sektori publik në atë privat, me atë që ndërmarrja private do të ofronte pagë më të lartë, ndërkaq shteti do t’i paguante në një periudhë të caktuar kontributet.
  2. Rikualifikim të të punësuarve nga sektori publik në atë publik, në pajtueshmëri me nevojat që do të na dorëzonin përfaqësuesit e sektorit privat, gjegjësisht odat ekonomike, por edhe Agjencia për Punësim. Harxhimi i këtij rikualifikimi të jetë në supe të shtetit.
  3. Me vullnet të vet, të punësuarit që duan ta lëshojnë sektorin privat, të ofrojmë ofertë atraktive me qëllim që ata vetë ta lëshojnë.
  4. Rikualifikim për nevoja të brendshme, pra një pjesë e analizave funksionale nuk janë që të tregojnë vetëm tepricë të të punësuarve, por edhe mangësi të caktuar të kuadrit, gjegjëissht në administratën publike – pra kemi të identifikuar mungesë të kuadrit.
  5. Është folur edhe për një lloj tjetër me partneritet publiko – privat, por kjo realisht është që vjen nga partnerët tjerë që janë në dialog dhe duhet që plotësisht të punohet.

Për të gjitha këto pako do të bisedohet në periudhën derisa bëhen gati analizat funksionale.

Mançevski gjithashtu rikujtoi se kjo nuk po bëhet për të ndërruar disa persona, me disa të tjerë, pasi që institucionet që do të theksojnë se nuk u nevojitet ndonjë vend i caktuar pune, në një periudhë të gjatë kohore të njëjtën nuk do të mund ta ndërrojnë. Mançevski gjithashtu u ankua se edhe administrata publike po përballet me ikje të vazhdueshme të të punësuarve.

Analizat që ka bërë Ministria e Administratës së Maqedonisë së Veriut, kanë nxjerrë në pah se administrata publike është e stërngarkuar dhe se mungon kuadri i menaxherëve, inxhinierëve të teknologjisë informative, ekonomistë dhe juristë me përvojë.

Numri i të punësuarve në sektorin publik në Maqedoni sipas numrit zyrtar të vitit 2018-të është 139.009, ndërkaq deri në fund të muajit mars do të duhet që të publikohet numri momental i tyre. Analizat e Shoqatës së menaxherëve të Maqedonisë tregojnë se 30 % e të punësuarve në sektorin shtetëror janë tepricë, ndërsa nga ana tjetër sektori privat ka nevojë për 80 mijë të punësuar të profileve të ndryshme. Sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian në raportet e tyre për Maqedoninë e Veriut, numri i të punësuarve në administratën publike është i madh dhe duhet që të punohet në zvogëlimin e të njëjtit.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut janë kusht që të fitojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin EvropianMSHIA është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vitet e ardhshme për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button