Banorët e Tetovës të rrezikuar nga jofunksionaliteti i semaforëve (VIDEO)

Semaforët në Tetovë jo gjithmonë funksionojnë siç duhet, e shpesh herë ata nuk funksionojnë fare. Kjo i vë në rrezik si vozitësit, ashtu edhe këmbësorët. Gazetari i Portalb.mk para dy ditësh regjistroi 6 semaforët kryesorë të qytetit, për të vërtetuar mosfunksionimin e tyre. Por, kjo nuk iu ka rënë në sy kompetentëve nga Komuna e Tetovës e as kompanisë “Elektrosoft”.

Me datë 15 janar nuk punonin thuajse asnjë nga semaforët në Komunën e Tetovës, për ta vërtetuar këtë, gazetari i Portalb.mk incizoi gjashtë nga semaforët në pjesët më të frekuentuara të qytetit. Edhe atë: Katër semaforët në qendër të qytetit dhe dy semaforët te lagjja e studentëve, respektivisht afër Universiteteve.

Edhe pse shumica e semaforëve jofunksional ndodheshin në pjesët kryesore të qytetit, nga Komuna e Tetovës nuk kanë qenë të informuar për një gjë të tille, sepse siç thanë “Nuk na kanë informuar nga Sektori për punë të brendshme (SPB), ata janë kompetent për këtë, jo ne”.

Nga Sektori për Punë të brendshme (SPB) potencuan se ata vazhdimisht njoftojnë për gjendjen e semaforëve në Tetovë, mirëpo kompania që është kompetente për mirëmbajtjen e tyre jo gjithmonë e kryen punën ashtu siç duhet.

“Ne gjatë gjithë kohës njoftojmë për gjendjen e semaforëve në qytet, problemi qëndron në atë se kompania e angazhuar për mirëmbajtën e semaforëve shpesh ka treguar neglizhence dhe ke pasur raste kur edhe kemi debatuar me ata. Në momentin kur kompania njoftohet se semaforët nuk janë në funksion, kërkohet që ata të dalin në tere, se sa e bëjnë ata këtë, nuk dihet” thanë nga Sektori për punë të brendshme (SPB), Tetovë.

Kompania “Elektrosoft”

Kompania e njëjtë me vite të tëra ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e semaforëve në Tetovë, vetëm katër vitet e fundit nga taksapaguesit tetovar, kjo kompani ka fituar rreth 100.000 euro për mirëmbajtjen e semaforëve.

Nga kompania në fjalë refuzuan të flasin për këtë. Megjithatë, nga burime jozyrtare Portalb.mk mëson se kjo kompani ka pasur mosmarrëveshje për çështje financiare me Komunën e Tetovës.

Problemi me mosfunksionimin e semaforëve në Tetovë ekziston disa vite tani, situata bëhet më shqetësuese kur të njëjtat janë jashtë përdorimit gjatë periudhës së pushimeve, kur edhe fluksi i veturave është më i madh ngaqë rreziku për aksidente të mundshme rritet.

Tenderët e fituara nga kompania "Elektrosoft" për mirëmbajtjen e semaforëve.
Tenderët e fituara nga kompania “Elektrosoft” për mirëmbajtjen e semaforëve.

Ndryshe, vetëm vitin e fundit në Tetovë janë regjistruar 784 aksidente trafiku me gjithsej 8 viktima, 45 persona me lëndime të rënda trupore dhe 441 raste me dëme materiale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button