KOHË PËR SHËRIM DREGËZASH

Nuk ka dyshim se gjuha, shkolla, kujtesa historike dhe mirëqenia janë gjërat e para që i rrënohen një etnie të mbetur peng i tjetrit dhe vetvetes. Këtë e dëshmon e shkuara dhe, mjerisht, e tashmja e Shqiptarisë. Këtë e dëshmon shtypja shekullore e të huajit dhe, mjerisht, mercernarizmi po aq i gjatë “i tanëve”.

Pra, e keqja është se këto thesare, pa të cilat s’ka etni, rrezikohen aktualisht nga tezgaxhinjtë shqipfolës, që nuk hezitojnë ta shesin të ardhmen e atdheut për sarajet e pinjollëve të hajdutërisë, të cilët, për sa kohë do të mbetemi peng mentalitetesh idiote, do t’i konsoderojmë si gjak i pastër race me prejardhje dyersh të mëdha, duke i shndërruar kësisoj ne model jete.

A ju duket e rastit që, në Kosovë, fjala vjen, në emër të ndreqjes së padrejtësisë reale që i është bërë gegërishtes në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), synohet ndryshimi i identitetit të shqiptarëve dhe krijimi i marrëzisë së quajtur “komb kosovar”? Po të ishte ndryshe, përse “ndreqjes” së standardit aktual do t’i prinin  3-4 gjithollogë me kulturë mediokre gjuhësore, në vend të albanologëve më të mirë që ka aktualisht Shqiptaria?!

A ju duket e rastit, fjala vjen, përse Gjuha shqipe në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut quhet përqindje?! Përse edhe 30 vjet pas përmbysjes së sistemit monist, flasim për nxënësit e disa vendbanimeve shqiptare të Prilepit, Velesit…, të cilët nuk e gëzojnë të drejtën e shkollimit fillor në gjuhën e nënës?! Si është e mundur që, vetëm disa kilometra larg Shkupit dhe deri para dy-tre muajsh, nxënësve shqiptarë të Idrizovës, nuk u lejohej e drejta që të mësojnë në gjuhën amtare nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë?!

A ju duket e rastit që një grusht jazexhinjshë të kudondodhshëm shqipfolës, e fyejnë dhe e luftojnë ditëpërditshëm medieve “nacionale” kujtesën historike, heronjtë dhe simbolet e shqiptarëve, madje, duke ngritur para hundëve tona kosmopolite tre gishtat kanosës të hegjemonizmit serb?!

A ju duket i rastit minishengeni që afron shtetin Amë me bashkëluftëtarët e “Kasapit të Ballkanit” dhe largon nga prehri bijtë e saj biologjikë?!

A ju duket i rastit varfërimi galopant i popullit dhe shpërngulja e trishtueshme e rinisë shqiptare, e cila për nga përqindja e popullatës është e pakrahasueshme me ndonjë rast tjetër në Evropë, pavarësisht shpjegimeve kubare të shkaktarëve të kësaj gjame?!

Pa imponuar përgjigjet në pyetjet e pësimërme, mendoj se është ora e findit p=r t’u kushtuar vëmendje serioze dregëzave dhe varrëve vdekjeprurëse, të cilat e kemi bërë zakon t’i shërojmë me gishtin tregues drejtuar tjetrit. Të nisim nga shërimi i ileteve më gangrenoze, si ai i mungesës së unitetit  brendashqiptar, që për pasojë ka takatin tonë qesharak, të cilin pandehnim se e kishim në kohëra diktaturash, po që akoma nuk i kishte ardhur dita ta vëmë në lëvizje. Të moshuarit që e njohin jetën e të dy sistemeve, e thonë hapur se, përkundër dhunës permanente, shqiptarët ishin më unikë në kohën e monizmit sesa sot.

Asokohe, pavarësisht kalvarit të vuajtjeve, të paktën e dinim ku banon kuçedra e huaj dhe ku buson shtona jonë në shërbim të saj. Tani, ndërkaq, kanë ndryshuar kohërat dhe kjo demokracia prej “sallamadie” ia ka mundësuar gjithsecilit ta bëjë atë për të cilën dikur të leçiste shoqëria. Kjo vin shkaku i dezintegrimeve në të gjitha dimensionet e jetës, shkaku i politikave të ngathta e të ngordhura nga korrupcioni, shkaku i drejtësisë jofunksionale, shkaku i mungëses së ideve zhvillimore, që do të shkonin në favor të mirëqenies së popullit, shkaku i mungesës së asaj vijës së kuqe përtej së cilës askush nuk do të mund ta luante lojën e atyre që na duan rajë të përshtatshme për nëpërkëmbje, duke fshehur piasllëqet me alibi që nuk pinë ujë as në vendet skandinave, jo më në siujdhesën e gjarpërinjëve të mikluar nga pjesa e mbetur “mrrutë” e Evropës së At Gjergj Fishtës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button