Këshilli Politik optimist për reformën zgjedhore, u prezantuan prioritetet

Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore zhvilloi sot mbledhjen e parë. Përfaqësuesit politik nga qeveria, opozita dhe opozita jashtë parlamentare u shprehën optimist për këtë mbledhje, transmeton OraNews.

Rudina Hajdari tha se ndryshimi i sistemit nuk është përjashtuar nga diskutimi, madje kjo sipas saj po pranohet nga të gjitha palët.

Rudina Hajdari: Është e rëndësishme të arrijmë një konsensus dhe mesa shikoj unë edhe palët e tjera kanë filluar të flasin për ndryshimin e sistemit. Ndryshimi i sistemit kërkon kohë dhe kërkon dakordësi nga të gjitha palët, por është një gjë që nuk është përjashtuar nga tavolina. Është një gjë që po gjithëpranohet nga palët e tjera. Ajo që është e rëndësishme është fakti që ne duhet të kemi një produkt i cili të jetë dakordësuar me të gjitha palët dhe mos e kthejmë këtë këshill politik në një tjetër tryezë të ngjashme që kalon në konflikte dhe në fund nuk arrijmë dot në një marrëveshje. Ne duhet ta përmbyllim këtë reformën zgjedhore, duke i dhënë shans shqiptarëve që të kenë trë paktën lista të hapura. Shqiptarët duhet të votojnë ata njerëz që ata duan dhe ti heqin pak pushtetin kryetarëve të partive. Hapja e listave do ishte një gjë pozitive dhe do çlironte energji pozitive për zgjedhjet e ardhshme. Takimi ishte i suksesshëm, mendoj se përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë dhe ju garantoj se tani e tutje ne do vazhdojmë të takohemi. Duhet të kemi një proces sa më transparent.

Oerd Bylykbashi prezantoi prioritetet e opozitës së bashkuar, të cilat konsistojnë në rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Oerd Bylykbashi:  Ky këshill i autorizoi përfaqësuesve politik dhe ekspertëve që të operojnë me konsensus. Ky konsensus duhet të qëndrojë deri në momentin e miratimit. Ajo që ne bëmë të ditur, qëndrimi i opozitës së bashkuar është prioriteti i çështjeve që përputhet 100% me prioritet e OSBE/ODIHR. Lufta kundër shit blerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit, mbi administratën, manipulimit të listave, keq përdorimi i policisë, cënimi i sekretit të votës apo lirisë së votës. Këto reforma do ti trajtojë me prioritet dhe të gjitha çështjet e tjera pa asnjë përjashtim. Nga ky moment detyra e përfaqësuesve politik dhe ekspertëve është të ecin sa më shpejt, 15 marsi është afati. Kuvendi duhet ta miratojë atë që do dalë me konsensus pa asnjë ndryshim.

Nga ana e tij, bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri vlerësoi kthimin e opozitës. Ai tha se të hënë do ti dergohet letër ODIHR për të kërkuar ekspertin ndërkombëtar,

Damina Gjiknuri: Ky këshill autorizon përfundimisht  dhe që nga sot fillon puna e përbashkët mes përfaqësuesve të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të opozitës me qëllim gjetjen e një konsensusi në lidhje me pikat e debatueshme të kodit zgjedhor apo legjislacionin zgjedhor, ku një pjesë të të drejtave dhe propozimeve do ti ketë opozita jo parlamentare. Ne shprehëm vullnetin tonë, e mirëpresim të fillojmë menjëherë nga puna. Ditën e hënë Komisioni i Reformës Zgjedhore do ti dërgojë letër ODIHR për të kërkuar ekspertin ndërkombëtar, i cili mund të vijë në Shqipëri për të punuar me palët. Kërkojmë që nga e hënë e tutje, pse jo dhe përdit të fillojë puna mes përfaqësuesve të opozitës dhe ekspertët e tyre që të punojnë me përfaqësuesit e Komisionit të Reformës Zgjedhore në mënyrë që këtë periudhë 2 mujore ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale që ti japim një kod të ri zgjedhor shqiptarëve. Ky është qëllimi jonë. Kjo tavolinë formale dhe bekimin e saj politik dhe roli i mbetet përfaqësuesve politik dhe të komisionit të reformës zgjedhore për ta cuar përpara këtë proces. Secila palë vendos prioritetet e saj. Prioritet për këtë grup punë është objekti i punës së komisionit të reformës zgjedhore, cështjet e administrimit zgjedhor, pse jo  dhe çështjet e sistemit zgjedhor.  PD ka bërë një hap, një kthesë të madhe nga qëndrimet e saj shumë ekstremiste që është për tu përshëndetur. Unë realisht jam i lumtur që PD dhe PS dhe faktorët politik shqiptar ulen në një tryezë për të gjetur kompromis. Ky është mesazhi më i mirë që duan të dëgjojnë shqiptarët dhe ndërkombëtarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button